Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar në lidhje me rastin e Astrit Deharit duke kërkuar që përgjegjësit të japin llogari për arrestimin e “një të pafajshmi dhe mbytjen e një aktivisti politik”.
Kështu deklarata Kurti i ka bërë përmes një postimi në facebook, ku njëkohësisht ka njoftuar për shpalljen si të pafajshëm të aktivistëve të Vetëvendosjes, të arrestuar në gusht të vitit 2016 për një sulm ndaj Kuvendit të Kosovës.
“Në gusht të vitit 2016 u arrestuan aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për një sulm që kishte ndodhur ndaj Kuvendit të Kosovës. Ishte kjo ndër përpjekjet e mëdha për ta eliminuar Lëvizjen tonë nga skena politike. Sot, 6 vite më vonë aktivistët tanë shpallen të pafajshëm ndaj kësaj akuze. Ndonëse drejtësi e vonuar, megjithatë duhet përshëndetur për vendimin meritor final.”, ka shkruar Kurti.
“Por, ky rast nuk është thjesht drejtësi e vonuar, por edhe një jetë e humbur. Astrit Dehari, aktivisti ynë është marrë në burg për këtë akuzë dhe kur sot kjo akuzë bjen tërësisht, ai më nuk gjendet në mesin tonë. Nëse deri tash kemi bërë thirrje ‘’Drejtësi për Astritin’’ për të zbuluar tërësisht rastin, tash kjo thirrje bëhet edhe më e prerë. Përgjegjësit e rastit të Astrit Deharit duhet të japin llogari për arrestimin e një të pafajshmi dhe mbytjen e një aktivisti politik.”, ka shtuar ai në postim./FolDrejt/