Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ministrin e Investimeve të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Khalid Al Falih, i cili qëndroi në vizitë njëditore zyrtare në Kosovë, i shoqëruar nga ambasadori Faisal Ghazi Hifzi dhe përfaqësuesi i Fondit Saudit për Zhvillim, Sulltan AlMarshad, transmeton Fol Drejt.
Në takim, përkrah kryeministrit Kurti ishin ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti dhe ambasadori i Kosovës në Arabinë Saudite, Lulzim Mjeku.
Kryeministri Kurti e falënderoi ministrin saudit për përkrahjen e parezervë të Arabisë Saudite përgjatë gjithë këtyre viteve të shtetit të Kosovës.
Ai dhe ministri Al Falih u shprehën të kënaqur për marrëdhënie të shkëlqyera ndërmjet dy shteteve.
Ata folën për potencialin dhe mundësitë për thellimin e tyre, nëpërmjet bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Ky ishte takimi i dytë i sivjetmë i kryeministrit Kurti dhe ministrit saudit të Investimeve, Khalid Al Falih.