Dje u mbajt mbledhja e 112-të e Qeverisë së Kosovës, me ç’rast u morën 31 vendime.
Rreth këtyre vendimeve është shprehur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili me anë të një postimi në facebook, ka përmendur disa prej vendimeve në disa fusha si: energjetikë, mbrojtje, bujqësi, shëndetësi.
“Miratuam gjashtë nisma për marrëveshje ndërkombëtare për projekte në infrastrukturë, drejtësi e energji.
Që çmimi i energjisë elektrike për qytetarët të jetë më i përballueshëm, ndamë mjete për subvencionimin e tarifave të energjisë elektrike.
Ndamë mjete për masat e Pakos për Përballje me Inflacion, në mbështetje të amvisërisë që kanë kursyer energji, për punëtorët e ndërmarrjeve publike, për punëtorët e sektorit publik dhe për studentët.
Aprovuam Planin e Veprimit për pakon e përkrahjes buxhetore për krizën e energjisë brenda fondeve IPA 2023, me vlerë prej 75 milionë euro.
Iniciuam përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në listën e instrumenteve ndërkombëtare në Kushtetutën e Republikës.
Miratuam kompenzimin e dëmëve të shkaktuara në bujqësi në komunat e prekura nga fatkeqësitë natyrore.
Për një shoqëri demokratike, institucione transparente, e gjithëpërfshirje në proceset qeveritare, miratuam Planin Kombëtar të Veprimit 2023-2025 për Partneritetin për Qeverisje të Hapur.
Me qëllim të institucionalizimit të kujdesit shëndetësor për pacientët me sëmundje të rralla, miratuam Koncept Dokumentin për Sëmundjet e Rralla. Miratuam edhe Projektligjin për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse.
Themeluam Këshillin Shtetëror Organizativ për shënimin e 15 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 25 vjetorit te Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Miratuam tre vendime për shpronësim për interes publik për realizimin e projekteve infrastrukturore në komunat e Mitrovicës dhe Podujevës.
Ndamë mjete për subvencionim të ndërtimit të shtëpive për komunitetet jo-shumicë, ndërtimi i të cilave kishte filluar në vitin 2019”, është shprehur kryeministri Kurti./FolDrejt/