Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Shkup në kuadër të turit që do të mbajë në Ballkanin Perëndimor. Kreu i qeverisë është pritur nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski ndërsa shoqërohet edhe nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe Majlinda Dhuka, kryenegociatore e Shqipërisë me BE-në.
Pas takimit me kryeministrin maqedonas, do të mbahet edhe një konferencë për shtyp. Më pas, Rama do të niset drejt Prishtinës për t’u takuar në orën 16:00 me presidenten Vjosa Osmani dhe më pas me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca. Më herët, Rama njoftoi se priste një konfirmin edhe nga Kurti për t’u takuar.
Duke iu përgjigjur kërkesës së Kurtit ditën e djeshme, që së pari të mbahet mbledhja e përbashkët e qeverive, Rama njoftoi se 13 marrëveshjet janë firmosur dhe se i ka dorëzuar në ministrinë e Jashtme të Kosovës. Me këtë veprim, kreu i qeverisë shtoi se pret që Kurti të konfirmojë takimin me të./abcnews.al/