Kanë mbetur edhe pak ditë nga fillimi i Kupës së Botës i cili do të mbahet në Katar dhe ethet e këtij kompeticioni, i cili është më i shikuari në botën e futbollit, veçse kanë filluar.
Nga: Ardit Mehmetaj – Fol Drejt
Karakteristikë e këtij Botërori është se do të zhvillohet në botën arabe, përkatësisht në Katar dhe nuk do të mbahet siç jemi mësuar deri më tani në verë, por në fund të vjeshtës, për shkak të kohës së nxehtë e cila mbretëron atje.
Në këtë Botëror shteti i Katarit debuton për herë të parë në këtë kompeticion, ndërsa Uellsi më në krye Gareth Bale kthehet pas një kohe 64-vjeçare mungesë në Kupën e Botës.
ÇFARË PRITET NGA KUPA E BOTËS 2022?
Për të biseduar rreth Kupës së Botës 2022, Fol Drejt ka kontaktuar futbolldashësen Fitore Rrecaj, e cila njëherazi është edhe gazetare e sportit, si dhe shumë aktive në ndjekjen dhe komentimin e sportit, veçanërisht futbollit.
Pyetje: Çfarë prisni nga ky Botëror dhe çfarë mendoni që do të jetë ndryshe nga kampionatët e tjera paraprake?
F. Rrecaj: Si në secilin kampionat tjetër, pres që edhe ky të sjellë spektakel, futboll të bukur dhe atraktiv. E veçantë e këtij botërori është se do mbahet në periudhën e vjeshtës, e jo siç jemi mësuar në verë. Ndryshe nga kampionatët tjera është se një gjeneratë e re po dominon në futbollin e sotëm dhe pritshmëritë janë të mëdha për sukses ekipor, por poashtu edhe individual.
Pyetje: Cili futbollist mendoni që do të shkelqejë?
F. Rrecaj: Janë disa lojtarë që mendoj se do të dhurojnë spektakel, nga të rinjtë janë Cody Gakpo i Holandës, Musiala me Gjermaninë, Bellingham me Anglinë, dhe padyshim pres nga Messi me Argjentinën, Benzema me Francën dhe Kevin De Bruyne me Belgjikën, pasi këta janë lider tek kombëtarët e tyre.
Pyetje: Për Messin dhe Ronaldon pritet që ky të jetë Botërori i fundit. Kanë çfarë të na tregojnë ende apo epokën e tyre e shihni si të përfunduar tashmë?
F. Rrecaj: Messi po kalon formë të mirë dhe priten përformanca të mira nga ai, ndryshe nga Ronaldo i cili po kalon periudhë të vështirë tek Manchester United, disa lojë me minutazh të vogël e disa lojë si rezervist, por përsëri me kombëtare është çështje tjetër dhe dytë do të tentojnë të japin maksimumin e tyre për të arritur sukses në fund.
Pyetje: Cilat shtete mendoni se janë favorite për ta fituar Kupën e Botës 2022?
F. Rrecaj: Brazili dhe Argjentina janë dy nga shtetet te cilat mendoj se janë më të kompletuara dhe në formë më të mirë, por pres edhe Danimarkën e cila nga Evropiani ka kaluar në një formë të jashtëzakonshme dhe do të jetë “arrë e fortë” në këtë Botëror.
NJË HISTORIK I SHKURTËR:
Kupa e Botës mbahet që nga viti 1930. Herën e parë ky kompeticion është mbajtur në Uruguai dhe kishte vetëm trembëdhjetë skuadra të ftuara. Pra, karakteristikë ishte se shtetet nuk ishin kualifikuar për në Kupën e Botës, por ishin ftuar nga FIFA. Që nga ai vit Kupa e Botës është zgjeruar e rimodeluar disa herë, ndërsa aktualisht Kupa e Botës ka 32 ekipe pjesëmarrëse, të cilat paraprakisht i nënshtrohen një procesi kualifikues dy-vjeçar, ku përfshihen mbi 200 përfaqësuese.
Finalja e parë e Kupës së Botës është mbajtur në Stadiumin Centenario, me 1930, në qytetin uruguaian Montevideo. Finalja u zhvillua mes dy shteteve amerikano-latine, mes Urugait dhe Argjentinës, ku vendasit triumfuan me një fitore 4-2 para 93,000 shikuesish.
Në vitin 1934 Kupa e Botës u organizua në Itali, ku pikërisht Italia u bë fituese duke u bërë kështu shteti i parë evropian që fiton në këtë turne. Në vitin 1938 Kupa e Botës u mbajt në Francë, ku edhe këtë vit fitues doli Italia duke e mposhtur në finale Hungarinë.
Turneu i Kupës së Botës u pezullua për dymbëdhjetë vite me radhë për shkak të Luftës së Dytë Botërore, për të rifilluar në vitin 1950 në Brazil. Përsëri Uruguai u kthye dhe e fitoi këtë kompeticion duke i barazuar kupat me Italinë, nga dy secila.
Kupa e Botës 1954, e mbajtur në Zvicër, ishte e para që u transmetua në televizion. Gjermania ishte fituesja e turneut, duke mposhtur Hungarinë 3–2 në finale.
Brazili fitoi Kupën e Botës 1958, të mbajtur në Suedi dhe u bë skuadra e parë që fitoi një Kupë Bote jashtë kontinentit të tyre.
Kili priti Kupën e Botës 1962. Brazili mundi dhe Çekosllovakinë duke e fituar kështu Kupën e Botës për së dyti herë radhazi.
Kupa e Botës 1966, e organizuar nga Anglia, ishte e para që përqafoi marketingun, duke shfaqur për herë të parë logo zyrtare. Interesante është se trofeu u vodh në prag të turneut, por u gjet një javë më vonë nga një qen i quajtur “Pickles”. Anglia e fitoi turneun, megjithëse João Havelange (ish-president i FIFA-s nga 1974 deri në 1998) pretendoi se Kupat e Botës 1966 dhe 1974 ishin caktuar në atë mënyrë që Anglia dhe Gjermania të fitonin gjithsesi.
Kupa e Botës në vitin 1970 u zhvillua në Meksikë dhe fitues doli Brazili duke e mposhtur Italinë 4-1 në finale.
Edicioni i vitit 1974, u mbajt në Gjermani, ku nikoqiri (Gjermania) e fitoi kompeticionin duke mposhtur Holandën 2–1 në finale.
Kupa e Botës 1978 u mbajt në Argjentinë, duke shkaktuar polemika pasi një grusht shteti ushtarak kishte ndodhur në vend dy vjet më parë. Akuzat se ylli holandez Johan Cruyff refuzoi të merrte pjesë për shkak të bindjeve politike u hodhën poshtë nga ai 30 vjet më vonë. Në fund ishte pikërisht Argjentina që e fitoi finalen 3–1, me holandezët që ishin nënkampion për herë të dytë radhazi.
Spanja priti Kupën e Botës 1982, e cila përfshinte 24 skuadra, zgjerimi i parë që nga viti 1934. Finalja u fitua nga Italia.
Kupën e Botës 1986 e priti Meksika, duke u bërë vendi i parë që mbajti dy Kupa. Formati ndryshoi sërish, ku raundi i dytë u zëvendësua nga një garë paraçerekfinale, me eliminim direkt, ku do të kualifikoheshin 16 skuadra. Gjithashtu u vendos që dy ndeshjet e fundit në të gjitha grupet të nisnin njëkohësisht, për të garantuar drejtësi të plotë. Në fund, në finale, Argjentina mundi Gjermaninë 3–2.
Kupa e Botës 1990 u mbajt në Itali. Gjermania mundi Argjentinën 1–0 në finale për të regjistruar titullin e tretë.
Kupa e Botës 1994, e mbajtur në Shtetet e Bashkuara, pa finalen e parë të Kupës së Botës që u vendos në penallti, me Brazilin që e mposhti Italinë. RF Jugosllavia u përjashtua për shkak të sanksioneve të OKB-së në lidhje me luftën në Bosnje-Hercegovinë.
Kupa e Botës 1998 u mbajt në Francë dhe kishte një format të zgjeruar me 32 ekipe. Irani mundi Maldivet në kualifikim me diferencën më të madhe në historinë e Kupës së Botës: 17–0. Në fund Franca nikoqire fitoi turneun duke mposhtur Brazilin 3–0 në finale, pasi braziliani Ronaldo kishte probleme shëndetësore dhe për këtë arsye ai nuk pat mundësi të ndikoi në këtë ndeshje.
Kupa e Botës 2002 ishte e para që u mbajt në Azi dhe u organizua bashkërisht nga Koreja e Jugut dhe Japonia. Togolezi Souleymane Mamam u bë lojtari më i ri që ka luajtur ndonjëherë në një fushë lojë paraprake të Kupës së Botës me vetëm 13 vjet. Brazili mundi Gjermaninë 2–0 në finale për titullin e pestë. Turku me prejardhje shqiptare, Hakan Sukur bëri histori duke shënuar golin më të hershëm të të gjitha kohërave në Kupën e Botës kundër Koresë së Jugut me vetëm 11 sekonda.
Kupa e Botës 2006 u mbajt në Gjermani. Ndeshja e fundit ishte mes Italisë dhe Francës, në të cilën kapiteni francez Zinedine Zidane u përjashtua me karton të kuq në minutat për një goditje me kokë në gjoksin e qendërmbrojtësit italian Marco Materazzi. Italia fitoi 5–3 në penallti, rezultati ishte 1–1 pas 90 minutave dhe kohës shtesë.
Kupa e Botës 2010 u mbajt në Afrikën e Jugut. Ishte kupa e parë e organizuar në tokën afrikane dhe kupa u fitua nga Spanja në një finale që pa një numër rekord të kartonëve të verdhë të shpërndarë dhe atë që disa e konsideruan lojë të dhunshme nga holandezët, skuadra e Holandës me dhjetë lojtarë u mund 1–0 në minutën e 116-të të kohës shtesë nga një Andrés Iniesta.
Kupa e Botës 2014 u mbajt në Brazil, duke shënuar herën e dytë që Brazili ishte mikpritës i kompeticionit. Kupa u fitua nga Gjermania, e cila mundi Argjentinën 1–0 në finale.
Kupa e Botës 2018 u mbajt në Rusi. Ishte kupa e parë që u mbajt në Evropën Lindore. Kupa u fitua nga Franca, e cila mundi Kroacinë 4–2 në finale.
Kupa e Botës 2022 e organizuar nga Katari do të jetë turneu i parë që nuk do të mbahet në kohën e verës në të cilën mbahet zakonisht. Ai do të zhvillohet nga 21 nëntori deri më 18 dhjetor 2022./FolDrejt/