Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke rikujtuar se Këshilli Verior-Atlantik ka dënuar fuqishëm sulmin e fundit kibernetik ndaj infrastrukturës kombëtare të informacionit të Shqipërisë, tha se NATO me personelin i kanë dhënë mbështetje Tiranës.
Stoltenberg foli në aktivitetin “Konferenca e Përkushtimit për Mbrojtjen Kibernetike të NATO-s 2022” të organizuar në Romë, bashkë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë dhe SHBA-së, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ai tha se Këshilli Verior-Atlantik ka dënuar fuqishëm sulmin e fundit kibernetik ndaj infrastrukturës kombëtare të informacionit të Shqipërisë.
“Personeli i NATO-s dha mbështetje duke shkuar në Tiranë. Shqipëria dhe aleatët e tjerë këtë sulm ia atribuuan Iranit. Ky është një shembull i aleatëve të NATO-s që bashkohen dhe reagojnë me një zë”, tha Stoltenberg.
– Sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë
Në korrik të këtij viti ndaj Shqipërisë është kryer një sulm masiv kibernetik, ku pas evidentimit të sulmit në fjalë, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit e Shqipërisë mbylli përkohësisht qasjen e shërbimeve publike online dhe të disa uebfaqeve qeveritare, për t’i rikthyer përsëri në funksion.
Në lidhje me këtë sulm kibernetik, Shqipëria më 7 shtator vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, si kundërpërgjigje “ndaj sulmit kibernetik ndaj infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Shqipërisë”.
Në lidhje me këtë vendim, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se “hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit”.
Ndërkohë, më 10 shtator autoritetet në Shqipëri konfirmuan se një tjetër sulm kibernetik nga Irani është kryer ndaj Shqipërisë, konkretisht ndaj Sistemit të Menaxhimit Total të Informacionit (TIMS), sistem që verifikon dhe administron hyrje-daljet në pikat kufitare të Shqipërisë./FolDrejt/