Kryediplomati serb Ivica Daçiq, i njohur për qëndrimet e tij kundrejt Kosovës, ka akuzuar edhe një herë Kryeministrin e Republikës së Kosovës Albin Kurti pas ngjarjeve të fundit në veri, shkruan Fol Drejt.
Sipas mediave serbe, ai ka thënë se “ata që përkrahën agresionin ndaj Serbisë në vitin 1999 vazhdojnë politikën e tyre dhe mbështesin kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dëshira e të cilit është të provokojë luftë.”
Daçiq për TV Prva citohet të ketë thënë se bashkësia ndërkombëtare praktikisht lejon që të ndodhin konflikte në Kosovë dhe kujtoi se kështu ka qenë edhe kur kryetarët shqiptarë kanë hyrë në zyrat komunale në veri të Kosovës.
Daçiq theksoi se “populli serb ka të drejtë të mbrohet dhe të shprehë vullnetin e tij politik dhe se nuk dëshiron konflikt me askënd.”
Për më tepër ai e ka akuzuar edhe KFOR-in për veprim të ngathët. Sipas tij është dashur KFOR-i të thirret para incidentit./FolDrejt/