Në një konferencë për media, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për mundësinë e zgjedhjeve të reja në vend, të cilat po i kërkon opozita.
Kryeministri tha se zgjedhjet e parakohshme s’i konvenojnë opozitës, pasi sipas tij, ajo zhduket.
Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë kometuar rreth kësaj deklarate të Kurtit, përcjell Fol Drejt.
Ndër ata të cilët kanë reaguar është edhe nënkryetari i LDK-së, Gazemend Muhaxheri, i cili ka folur për Front online dhe kryeministrin e ka quajtur diktator.
Ai thotë se vetëm diktatorët duan ta zhdukin opozitën.
Muhaxheri thotë se qytetarët do të vendosin me vota se kush fiton në zgjedhje.
“Ëndrrat e diktatorëve janë me shkuar në zgjedhje e me zhdukë opozitën, inshallah si ka shkuar mendja kështu Kurtit. Varët nga qytetarët që votojnë se kush do t’i fitonte zgjedhjet”, u shpreh Muhaxheri për Front Online.
Lidhur me këtë temë ka reaguar edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ku e ka quajtur kryeministrin Albin Kurti humorist, duke thënë se ai e ka humbur fuqinë e tij politike.
Shefi i GP të AAK-së e ka ftuar Kurtin të përballet me zgjedhje.