Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, e ish’kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një shkrimi në Facebook ka folur për shkarkimin e bordeve të ndërmarrjeve publike, të cilat thotë se ishin buzë greminës, raporton Gazeta Express.
Kurti thotë se në qeverisjen e tij kanë punuar veçanërisht për sundimin e ligjit dhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Faktor i rëndësishëm i zhvillimit janë padyshim edhe ndërmarrjet tona publike, të cilat i gjetëm në gjendje të rëndë, por me shpresë se secilën prej tyre mundemi ta qesim në rrugë të mbarë. Gjatë qeverisjes sonë, ne ndërhymë në 10 ndërmarrje publike, duke shkarkuar bordet e drejtorëve, që kishin shkelur detyrat e besuara dhe kishin sjellë ndërmarrjet buzë greminës. Në vend të tyre emëruam borde të përkohshme, që mund të shërbejnë deri në 6 muaj. Misioni i tyre ishte i qartë: të ndalin gjakderdhjen financiare dhe t’i hapin shteg rimëkëmbjes e zhvillimit”, thotë ai.
Sipas shefit, të LVV’së, detyra e madhe e rimëkëmbjes dhe zhvillimit do t’u takojë tani drejtorëve të rinj.
“Ashtu siç kërkon ligji, institucionet tona do të shpallin konkurset për drejtorët me mandat të plotë në 10 a më shumë ndërmarrje. Do të shpallen konkurse edhe për zyrtarë të lartë të ndërmarrjeve: pozitat e kryeshefit ekzekutiv, zyrtarit kryesor financiar, të sekretarit korporativ apo këshilltarit të përgjithshëm dhe të auditorit të brendshëm. Ne, si Lëvizje VETËVENDOSJE!, do të vëzhgojmë çdo hap të institucioneve dhe ndërmarrjeve tona për të siguruar një ecuri të ligjshme, korrekte e transparente të rekrutimit. Qeverisja jonë ka vendosur standarde të larta të administrimit të ndërmarrjeve publike. Ne nuk do të lejojmë që këto standarde të rrënohen lehtë”, thotë ai.
Ish’kryeministri thotë se edhe ligji e specifikon se mund të kandidojnë profesionistë pa marrë parasysh shtetin e prejardhjes ose vendbanimin.
Ai ka bërë thirrje për të gjithë profesionistëve, në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni të Veriut, kudo në rajon, e në mërgatë që të aplikojnë për pozitat që do të shpallen.
“I ftojmë që të ndajnë me ne zotësinë dhe përvojat e tyre. Të marrim më të mirën e vendeve të zhvilluara për ta zhvilluar edhe ne vendin tonë. Kosova dikur ka pasur ndërmarrje të përmendura në mbarë Evropën. Sot ka ndërmarrje publike që kanë vuajtur nga keqqeverisja dhe krimi. Por ne kemi punuar për të ndalur të keqen. Dhe e dimë mirë se secila nga ndërmarrjet tona ka potencialin për të qenë shembull i qeverisjes së mirë dhe i shërbimit cilësor për klientët e vet. Ndërmarrjet tona publike operojnë në shumë lëmenj: energjetikë, miniera, komunikime postare e elektronike, transport hekurudhor, sektor të ujërave dhe shërbime të tjera publike. Ndërmarrjet tona do të kenë nevojë për udhëheqës të ndershëm e të përkushtuar. Do të kenë nevojë për inxhinierë, për ekonomistë, për kontabilistë e auditorë, për juristë, për administratorë e për ekspertë të fushave të ndryshme e të kalibrit të lartë”, ka shkruar Kurti, derisa, ka treguar se deri kur janë hapur konkurset për zyrtarë të lartë në ndërmarrjet publike.