Suedia të mërkurën i ka mbyllur hetimet për rastin e pazgjidhur rreth vrasjes së ish-kryeministrit Olof Palme, i cili ishte qëlluar për vdekje në vitin 1986 në qendër të Stokholmit.
Prokurori kryesor i këtij rasti, Kristen Petersson, tha se rasti po mbyllet për shkak se i dyshuari kryesor për kryerjen e veprës, Stig Engstrom, ka vdekur në vitin 2000, shkruan “France24”.
Palme ishte qëlluar me armë më 28 shkurt 1986 pasi kishte dalë nga një kinema së bashku me bashkëshorten në kryeqytetin suedez.
Prokurori Petersson tha se i dyshuari kishte antipati të fuqishme kundër ish-kryeministrit Palme dhe politikave të tij. Ai ishte një ndër personat e parë që ishte vërejtur në skenën e krimit dhe shpejt ishte cilësuar si i dyshuar.
“Pasi ka vdekur, unë nuk mund ta ndjek atë penalisht”, tha prokurori i rastit gjatë një konference për gazetarë.
Disa dëshmitarë dhanë përshkrime të vrasësit që kishte ikur nga vendi i ngjarjes dhe ato përshkrime përputheshin me pamjen e të dyshuarit. Sidoqoftë, disa të tjerë kanë thënë se ai as nuk ishte në vendin e ngjarjes.
Palme kishte kërkuar që të jetonte jetë të zakonshme dhe shpesh dilte pa asnjë truprojë. Natën e vrasjes, ai nuk kishte mbrojtje të afërt.