Ish-kapiteni i marinës ruse dhe veterani i luftës çeçene, Ivan Otrakovsky dëshiron të zëvendësojë presidentin Vladimir Putin në Kremlin. Themeluesi 47-vjeçar i Lëvizjes Ortodokse Svetorusiane mblodhi rreth tij disa oficerë ultra-konservatorë të të njëjtit mendim dhe shpalli kandidaturën e tij për presidencën.
Lëvizja e lartpërmendur, e cila ka lidhje të forta me Kishën Ortodokse Ruse dhe organizon patrulla për të mbrojtur gjoja pronën e saj, u themelua nga Otrakovsky dymbëdhjetë vjet më parë. Tani, i rrethuar nga kolegë me uniformë, ai me një video ka bërë të ditur se synon të kandidojë për postin më të lartë shtetëror.
Ndër prioritetet programore të Otrakovskit, për shembull, është tërheqja e Rusisë nga të gjitha “marrëveshjet e tregtisë ndërkombëtare të skllavërisë” dhe dëbimi i dollarëve dhe eurove nga tregu rus. Rusët nuk duhet t’i kenë ato monedha, ata mund të kenë vetëm monedhën kombëtare ruse, të cilën Otrakovsky dëshiron ta forcojë.
Sipas tij, Moska duhet t’i japë fund marrëdhënieve diplomatike me të gjitha vendet armike. Otrakovsky gjithashtu dëshiron të ndalojë plotësisht emigracionin dhe dëshiron që popullsia e Federatës Ruse të rritet nga 143 milionë në një miliardë, nëpërmjet një politike progresive të popullsisë.
Grupi i Otrakovskit synon gjithashtu të “pastrojë” shoqërinë nga të gjithë “armiqtë dhe tradhtarët” dhe të shfuqizojë oligarkët që “përfituan nga pasuria e popullit” në vitet 1990.
Putin nuk ka njoftuar ende nëse do të kërkojë të qëndrojë në Kremlin. Megjithatë, ai mund të kandidojë për poste, edhe pse deri më tani ka qenë katër herë president. Kjo u mundësua me një amendament kushtetues që u konfirmua me referendum në vitin 2020, transmeton Fol Drejt.