Dieta tregon rezultate shumë më të mira te meshkujt sesa te femrat, sipas një studimi të ri.
Gjegjësisht, shkencëtarët në Universitetin e Edinburgut thonë se hormoni femëror estrogjen ua vështirëson femrave rënien në peshë duke shkurtuar kaloritë, transmeton The Sun, përcjell Fol Drejt.
Gjatë një studimi katër-javor ku morën pjesë 42 persona, burrat humbën 16 për qind të peshës së tyre trupore, ndërsa gratë humbën gjysmën, tetë për qind.
”Ne mendojmë se kjo është për shkak se estrogjeni nxit ruajtjen e yndyrës për fertilitet, sepse shtatzënia kërkon shumë energji. Po kështu, trupi i meshkujve duket se është në gjendje të mbajë një normë më të lartë metabolike edhe kur konsumojnë më pak kalori. Njerëzit mund të dekurajohen nëse një dietë duket se nuk funksionon, por gjithsesi mund të ketë përfitime shëndetësore për gratë edhe nëse ato nuk humbin shumë peshë”, shpjegon profesori dhe autori i studimit William Cawthorn.
Përveç humbjes më të madhe në peshë, studimi tregoi gjithashtu se meshkujt ulin më lehtë nivelin e sheqerit në gjak duke mbajtur dietë. Cawthorn shpjegon se një nga arsyet kryesore për këtë është ndryshimi i hormoneve që bëjnë që trupi i meshkujve dhe i femrave të përgjigjet ndryshe ndaj dietave me pak kalori. Ndërsa gratë plaken dhe hyjnë në menopauzë, nivelet e tyre të estrogjenit bien, gjë që shpjegon pse dieta funksionon po aq mirë tek njerëzit e moshuar.
Profesor Cawthorn shtoi:
“Studimi ynë është i pari që tregon se këto dallime kryesisht zhduken në pleqëri. Kjo sugjeron që nëse gratë nuk arrinin të humbnin yndyrë përmes dietës kur ishin më të reja, ato mund të kenë më shumë sukses në pleqëri”./FolDrejt/