Parlamenti i Kilit ka miratuar një projektligj që redukton kohën javore të punës nga 45 orë në 40 orë.
Projektligji, i cili u dorëzua në Parlament nga qeveria e presidentit kilian Gabriel Boric dhe u miratua me 127 vota pro dhe 14 vota kundër, parashikon uljen graduale të kohës javore të punës në vend nga 45 orë në 40 orë brenda 5 viteve, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Lidhur me votimin, ministrja kiliane e Punës, Jeannette Jara tha: “Sot u dëshmua se është e mundur të ndërmerren hapa për të përmirësuar cilësinë e jetës së punonjësve tanë, edhe nëse disave iu duket e pamundur”.
Në një deklaratë në llogarinë e tij në rrjetet sociale para votimit, presidenti Boric tha se projektligji është hap i rëndësishëm për një kuptim më të gjerë të drejtësisë në vend. “Nuk kam asnjë dyshim se përmirësime të tilla si ulja në 40 orë janë të nevojshme për t’iu qasur një Kili të drejtë dhe të plotë”, tha ai.
Sipas ligjit të ri, koha javore e punës do të reduktohet në 44 orë në vitin e parë, 42 orë në vitin e tretë dhe 40 orë në vitin e pestë.
Koha javore e punës në Kili u reduktua nga 48 orë në 45 orë në vitin 2005./FolDrejt/