Emisari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dhënë një përditësim mbi punën e tij javën që shkoi dhe rezultatin e takimit në Bruksel ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq.
Në një postim në faqen e tij zyrtare në Facebook, Lajçak është shprehur i zhgënjyer me rezultatin e takimit të fundit Kurti-Vuçi-përfaqësuesit e BE-së, përcjell Fol Drejt.
Nga takimi i mbajtur të enjten, Lajçak tha se “shpresonim për një rezultat më të favorshëm”.
Për takimet e ardhshme, emisari i BE-së tha se temë e diskutimit do të jetë gjendja aktuale e dialogut dhe situata e tensionuar në veri të Kosovës.
“Shpresonim për një rezultat më të mirë. Gjendja e lojës në Dialog, së bashku me situatën e tensionuar në veri të Kosovës do të jenë objekt i diskutimeve të ardhshme strategjike me partnerët tanë amerikanë dhe evropianë për të përcaktuar hapat tanë të ardhshëm.” – shkroi ai.
Takimi në mes Kurtit dhe Vuçiqit nuk ka prodhuar rezultat. Shefi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, kishte deklaruar se “Kurti ka refuzuar propozimin e BE-së”.
Ndërkaq, Albin Kurti ka thënë se “kompromisi nuk ka qenë i duhur për Kosovën”, më pas zyrtarë të kabinetit të Qeverisë kanë deklaruar se “propozimi i BE-së ka qenë i njëjti me atë të Serbisë paraqitur gjashtë muaj më parë”./FolDrejt/