Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov tha se Afrika ka të drejtën të ndërmarrë një rol të rëndësishëm në botën multipolare.
Lavrov mbajti një konferencë për media pas takimit në Moskë me ministrin e Jashtëm dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar të Somalisë, Abshir Omar Jama, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Në fjalën e tij, Lavrov vuri në dukje bashkëpunimin në fushën teknike dhe ushtarake mes Rusisë dhe Somalisë. “Përsërita gatishmërinë tonë për të përmbushur nevojat e ushtrisë somaleze duke siguruar pajisjet e nevojshme për t’i dhënë fund përpjekjeve të tyre kundër terrorizmit. Do të vazhdojmë mbështetjen tonë edhe për çështjen e trajnimit të policisë somaleze”, tha ai.
Lidhur me çështjen e Ukrainës, Lavrov deklaroi: “E vlerësojmë qasjen që miqtë tanë somalezë kanë paraqitur lidhur me ato që kanë ndodhur rreth Ukrainës. Ne japim informacione vazhdimisht lidhur me situatën. Shumica e vendeve që janë në zhvillim, i kuptojnë arsyet e krizës pasi SHBA-ja dhe aleatët e tyre kërkojnë të forcojnë dominimin e tyre jo vetëm në Evropë por edhe në rajone të tjera duke zgjeruar NATO-n”.
Pasi tërhoqi vëmendjen se ndaj Somalisë zbatohen sanksione, Lavrov theksoi se këto sanksione duhet të hiqen.
Shefi i diplomacisë ruse bëri të ditur se janë pro që problemet në Afrikë të zgjidhen vetëm nga afrikanët. “Po përfundon epoka ku vendet perëndimore marrin vendime në vend të afrikanëve. Duhet të pranohet se Afrika ka të drejtë të zgjidhë problemet e veta dhe të ndërmarrë një rol të rëndësishëm në botën multipolare”, tha Lavrov.
Ministri i Jashtëm i Somalisë, Abshir Omar Jama deklaroi se vazhdojnë bashkëpunimin me Rusinë dhe luftën kundër terrorizmit.
Dy ministrat nënshkruan memorandum mirëkuptimi lidhur me bashkëpunimin e Ministrive të Jashtme të Rusisë dhe Somalisë./FolDrejt/