Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov, ka deklaruar se Moska është e “kënaqur” që me iniciativën e Turqisë, udhëheqësia e Ukrainës nënshkroi garanci me shkrim për mos përdorimin e korridorit humanitar të Detit të Zi për qëllime ushtarake.
“Për sa i përket marrëveshjes së drithërave, ne jemi të kënaqur që, me iniciativë të Turqisë, udhëheqësia ukrainase nënshkroi në letër garancitë e mos përsëritjes së përpjekjeve për të përdorur rrugët humanitare të Detit të Zi për qëllime ushtarake. Rifillimi i pjesës ukrainase të marrëveshjes ka vazhduar”, tha Lavrov në një konferencë për media në Amman pas një takimi me homologun e tij jordanez, Ayman Al Safadi, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Lavrov theksoi se nuk ka asnjë rezultat në lidhje me pjesën e dytë të marrëveshjes, të propozuar nga sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, që synon heqjen e çdo pengese për eksportin rus të drithërave dhe plehrave bujqësore.
“Ne edhe një herë i kemi bërë thirrje sekretarit të përgjithshëm që të përmbushë detyrimet që ia ka vendosur vetes në përputhje me iniciativën e tij”, tha Lavrov.
Më tej, ministri rus u bëri thirrje vendeve që vendosën sanksione ndaj eksportit rus të ushqimit dhe plehrave bujqësore, të pranojnë përgjegjësinë e tyre si mbështetës të marrëveshjes së promovuar nga OKB-ja, gjegjësisht për zbatimin e pjesës së dytë të saj.
“Për sa i përket pjesës së dytë të kësaj pakete (marrëveshjes së drithërave), siç e kam thënë tashmë, masa më serioze duhet të merren në një të ardhme shumë të afërt, veçanërisht nëse flasim për vëllimet e plehrave bujqësore dhe drithërave në fjalë, atëherë këto vëllime nga pala ruse janë të pa krahasueshme më të larta se mallrat përkatëse ukrainase”, tha ai.
Më 22 korrik, Turqia, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithërave nga tre portet ukrainase të Detit të Zi, që u ndërprenë pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në muajin shkurt. Një qendër e përbashkët koordinimi me zyrtarë nga të tre vendet dhe nga OKB-ja u formua në Istanbul për të mbikëqyrur dërgesat./FolDrejt/