Shkëmb Manaj ka folur në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me njoftimin e djeshëm për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, duke e konsideruar kështu si një superskandal dhe akt kriminal.
“Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson që zhdukja e mostrave të Astrit Dehari nga laboratori i IML-së që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë është super skandal dhe akti i shëmtuar kriminal”.
“Ky rast tregon më së mirë gjendjen në të cilën është katandisur Ministria e Drejtësisë dhe institucionet vartëse të saj. Ministrja e Drejtësisë është e paaftë që të drejtojë këtë ministri dhe të udhëheq procesin e reformave në drejtësi. Prandaj, dorëheqja e ministres së Drejtësisë është minimumi i përgjegjësisë së saj në këtë rast dhe në shumë raste tjera parapake”, është shprehur Manaj.
Ai njëkohësisht ka kërkuar dorëheqjen e ministres Haxhiu, duke konsideruar se nëse as kryeministri Kurti nuk e shkarkon Haxhiun, do ta konsiderojnë si bashkëpërgjegjës në zhdukje të mostrave.
“Nuk mjafton pezullimi i zyrtarëve të IML-së, ky është një veprim me anë të të cilit mundohet të mbulohet përgjegjësia politike dhe institucionale e ministres së Drejtësisë. Prandaj, kërkojmë dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, nëse nuk jep dorëheqje brenda ditës së sotme e ftojmë kryeministrin Kurti që ta shkarkojë atë – në rast se nuk e shkarkon e konsiderojmë bashkëpërgjegjës në këtë rast të zhdukjes së mostrave”.
“Nëse ndodh që zhdukja e këtyre mostrave do të ketë efekt të drejtpërdrejt në ndriçimin e plotë të rastit Dehari, atëherë shtrohet pyetja kujt po i intereson mos zbardhja e këtij rasti?”, ka shtuar ai tutje./FolDrejt/