“Lights Off” është nisma më e re e këtyre të rinjve në Francë për të kursyer energjinë elektrike për përballimin e krizës së tejzgjatur nga lufta në Ukrainë.
Me disa lëvizje të ngjashme si ato të superheronjve, nëpërmjet disiplinës sportive të rinjtë në Paris ngjiten në fasadat e dyqaneve apo ndërtesave të ndryshme për të fikur ndriçimin e panevojshëm. Duke u ngjitur në lartësi nga 9 deri në 13 metra ata ulin çelësat e emergjencës që përdoren për të ndriçuar kryesisht fasadat e jashtme të bizneseve, transmeton Fol Drejt.
Operacionet “Lights Off” janë mjaft të njohura në Francë në një kohë kur e gjithë Europa po përballet me çmime marramendëse në faturat e tyre të energjisë.
Ndërkohë qeveria franceze ka marrë një vendim ku kërkohet fikja e dritave dekorative dhe reklamave nga mesnata deri në 6 të mëngjesit. Për shkelësit parashikohet një gjobë deri në 1500 Euro. Sipas zyrtarëve, zbatimi i vendimit mund të kursejë mjaftueshëm energji elektrike çdo vit për të furnizuar me energji 750,000 familje./FolDrejt/