Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), planifikon të blejë një mijë teste për identifikimin e virusit të Lisë së Majmunëve.
Ky institucion tashmë i ka dhënë kontratën “Furnizim me RT PCR teste për detektimin e virusit të lisë së majmunit” kompanisë “Interlab”, në vlerë prej gjashtë mijë e 132 euro.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e IKSHPK-së, Era Pireva.
“IKShPK do të blejë 20 pako me nga 50 teste, pra gjithsej do të blihen një mijë teste”, ka deklaruar Pireva.
Ndryshe, të shtunën është raportuar për një rast të dyshimtë me Lijën e Majmunit në Kosovë nga Ministria e Shëndetësisë.
Gjendja e pacientit të dyshuar me këtë sëmundje, i cili është shtruar në një repart të veçantë të Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), është stabile dhe drejt përmirësimit.
Mostra e marrë nga ky pacient është dërguar në një laborator në Holandë për detektim. /Telegrafi/