Ministrat e mbrojtjes britanike dhe gjermane thanë sot në Berlin se i takon Shtëpisë së Bardhë të vendosë për dërgimin e mundshëm të avionëve luftarakë F-16 në Ukrainë.
“Ne nuk kemi F-16 dhe nuk do të furnizojmë avionë Typhoon, por padyshim që mund të kontribuojmë në trajnime dhe mbështetje, por brenda kufijve sepse nuk kemi pilotë F-16”, tha ministri britanik i Mbrojtjes Ben Wallace në Berlin në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij gjerman Boris Pistorius.
Wallace po i përgjigjej një pyetjeje në lidhje me një “koalicion ndërkombëtar” të propozuar nga Londra për të furnizuar Ukrainën me avionë luftarakë të teknologjisë perëndimore.
Sipas fjalëve të tij, një koalicion i tillë është “mbështetje politike” dhe “një sinjal për Rusinë” se nuk ka kundërshtime për t’i dhënë Ukrainës atë që i nevojitet.
Autoritetet britanike kanë njoftuar më parë se synojnë të trajnojnë së shpejti pilotët ukrainas.
Prej muajsh, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka kërkuar aleatëve të tij perëndimorë që t’i ofrojnë avionë që do të lejonin ushtrinë ukrainase të godiste thellë forcat ruse.
Ministri gjerman tha se “nuk mund të luajmë një rol aktiv në një aleancë të tillë, në një koalicion të tillë, sepse nuk kemi as kapacitetet stërvitore, as aftësitë, as ato avionë”.
Pistorius shtoi se, për aq sa ai e dinte, i takon Shtëpisë së Bardhë të vendosë nëse avionët luftarakë F-16 do të dorëzohen dhe se “nuk është një çështje që do të zgjidhet në Berlin”.
Kancelari gjerman Olaf Scholz tha sot në samitin e Këshillit të Evropës në Reykjavik se nuk kishte marrë kërkesa për dorëzimin e avionëve luftarakë.
Qeveria gjermane po fokusohet në tanke, municione, mbrojtje kundërajrore dhe në formimin e një “sistemi riparimi” të armatimeve, shtoi Scholz, transmeton Fol Drejt.