Rreth protestave opozitare në Shqipëri ka shkruar se fundi edhe rrjeti i madh televiziv “Al Jazeera”. Sipas saj ndarjet politike po thellohet në vendin që kërkon të rrëzojë qeverinë e Edi Ramës, e cila, “akuzohet për kontroll të shtetit me përdorimin e partive të drogës”, përcjell foldrejt.com. Dy ministra të brendshëm janë dorëhequr për shkak të akuzave të rënda për lidhje me krimin.
“Amandamentet që ne i propozonim hidheshin poshtë pa diskutim. As edhe ministrat nuk vinin për të raportuar përpara komisionit parlamentar,” theksoi për AJ, lideri i opozitës, Lulzim Basha. Ai shtoi se me paratë e vjedhura janë blerë votat e 2017. Diçka që e pranon së fundi edhe OSCE.
“Pse ata na tregojnë për blerjen e votës dy vjet më vonë, dhe vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve lokale?”, thekson në anën tjetër sekretari i përgjithshëm i PS, Taulant Balla, i cili kërkon që opozita ti marrë mandatet dhe të mos humb autoritetin për të përfaqësuar demokracinë.
Kjo krizë vjen vetëm pak kohë kur BE duhet të fillojë bisedimet për anëtarësim të Shqipërisë. Deri atëherë Shqipëria duhet të kryejë reformat, të luftojë korrupsion dhe të balancojë pushtetin ekzekutiv.
Vend tranzit për drogë
Komisioni Europian kërkon hapjen e dialogut, por me kusht që reformat në drejtësi të sjellin në burg kriminelët që janë përfshirë në trafikimin e drogës.
Edhe në raportin e fundit të KE, thuhet se Shqipëria vlen si një vend tranzit për heroinën dhe kokainën.
Përveç kësaj, në artikullin rreth Shqipërisë përmendet edhe shpronësimi i rreth 137 hektarëve tokë në bregdet, si dhe papunësia e lartë në vend me rreth 13 përqind sipas dokumentave.
Në lidhje me shpronësimin Balla thekson se kjo ka ndodhur për shkak të “zhvillimit të turizmit”, ku kompanitë e mëdha nga Gjermania ose Italia nuk mund të investojnë në Shqipëri nëse nuk u ofrohen kushtet e pronësimit.
Kurse sa u takon të ardhurave për kokë banori, në Shqipëri janë sa 29 përqind e BE-së, ndërsa faktor kyq për mbijetesën e vendit shqiptar janë edhe 1.25 miliardë dollarë remitenca nga diaspora. Rreth një e dhjeta e PPB.
Shumica tentojnë të emigrojnë (ilegalisht) pasi punësimin publik e shohin si tepër të politizuar, përcjell foldrejt.com.
Në fund Basha jep një shikim optimist: “Siç janë gjërat tani, është më se e sigurtë që të vijojë kontinuiteti i reformave dhe do presim një raport pozitiv nga Komisioni.”/Foldrejt.com