Le të mbizotërojnë buzëqeshjet, si nismë për të unifikuar vullnetet tona
Shkruan: Lumi Hajra
Dihet mirëfilli që ligjërimet e gjata, posaqërisht shkrimet shumërreshtëshe, nuk preferohen në raste kremte. Kësisoj, fjalët e përzgjedhura për të uruar duhet të thuhen e shkruhen me sa më shumë koncentracion.
Festa e do përjetimin, të qenit relativisht i vetëdijshëm a vëmendshëm përkitazi me ambientin festiv. Në këtë kontekst, shpeshherë dëgjojmë teksa përsëritet togfjalëshi “emocion që s’përshkruhet”, këtu nuk nevojitet përshkrimi. Madje, s’qe e kërkuar. Por, atmosfera e hareshme lexohet në fytyrat e kremtuesve, disi rezonon te tjetri.
Festa shërben, pra, është në shërbim të njeriut, mund të themi se i ngjanë nyjes, veç lidhjes për ruajtjen e veprave të mira, luan edhe rolin e dekorimit të bamirësisë e sakrificës.
Ditë kremte llogaritet çdo prehje njerëzore me të mirën, secila përpjekje humane drejt mirësisë, çfarëdo atakimi me vlera dhe virtyte.
Le të mbizotërojnë buzëqeshjet, si nismë për të unifikuar vullnetet tona, të cilat na shpiejnë kah e natyrshmja.
Me fat festa e Fitër Bajramit! Agjërim të pranuar dhe shumëfishim të shpërblimeve!