Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz i kanë bërë thirrje Kosovës që të organizojë zgjedhje të reja sa më shpejt në katër komuna në veri të Kosovës, duke thënë se në të njëjtën kohë, është e nevojshme të qartësohen rregullat e zgjedhjeve.
Scholz dhe Macron e deklaruan këtë në Kishinau, në samitin e Komunitetit Politik Evropian.
“Ne propozuam që me pjesëmarrjen e serbëve të organizohen zgjedhjet sa më shpejt në veri të Kosovës”, tha Macron, duke thënë se ai dhe Scholz më parë janë takuar ndaras me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, transmeton Fol Drejt.