Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha sot në Kishinau se vendit të tij i duhet integrimi në Bashkimin Evropian, jo izolimi.
“Maqedonia e Veriut ka nevojë për integrim në BE, jo për izolim, unë jam optimist racional, besoj në këtë qëllim dhe po punoj drejt tij”, tha Kovaçevski në konferencën për shtyp në fund të samitit të Bashkësisë Politike Evropiane.
Ai vlerësoi se nëse nuk ndodhin ndryshime kushtetuese për futjen e bullgarëve në kushtetutë, të cilat i pengon partia më e madhe opozitare VMRO DPMNE, Maqedonia e Veriut do të kthehet në periudhën 2006-2016 dhe në vend të integrimit do të ketë izolim.
“Ne pamë se si duket izolimi, pa infrastrukturë, një shtet i robëruar, ishim në vendin e 30-të për lirinë e medias, tani jemi të 38-të në botë, shteti ligjor u karakterizua si një regjim hibrid. Sot, në një vit kemi një kërcim prej 19 vendesh për sa i përket lirisë së medias. E njëjta gjë vlen edhe për pjesët e tjera të qeverisë”, tha Kovaçevski.
Maqedonia e Veriut filloi fazën e parë të negociatave me Bashkimin Evropian në korrik të vitit të kaluar në Bruksel, por për të kaluar në fazën e dytë dhe për të filluar hapjen e kapitujve, ajo duhet të përfshijë bullgarët në kushtetutë deri në fund të shqyrtimit (që pritet në nëntor), për të cilin koalicioni qeverisës nuk ka mbështetjen e nevojshme të opozitës maqedonase.
“Anëtarësimi në BE nuk është qëllim në vetvete, anëtarësimi në BE është qëllim me të cilin ne e arrijmë atë që dëshirojnë qytetarët”, tha kryeministri Kovaçevski në përgjigje të pyetjes së një gazetari, njofton shërbimi për shtyp i qeverisë në Shkup, transmeton Fol Drejt.