Në një raportim të Financial Times pretendohet se presidenti francez Emmanuel Macron shprehu kundërshtimet e tij ndaj planeve të NATO-s për të krijuar një zyrë në Japoni, e cila do të ishte e para e këtij lloji në Azi, që synon lehtësimin e konsultimeve në rajon, njofton AA, transmeton Fol Drejt.
Financial Times dje shkroi se Macron, gjatë një konference për media javën e kaluar, paralajmëroi kundër zgjerimit të shtrirjes gjeografike të NATO-s përtej rajonit të Atlantikut të Veriut, duke deklaruar se “ne do të bëjmë një gabim të madh”.
Në janar, kryeministri japonez Fumio Kishida dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, arritën një marrëveshje për të përmirësuar partneritetin e tyre. Ata pranuan se pushtimi i Rusisë në Ukrainë dhe bashkëpunimi i saj ushtarak me Kinën kanë krijuar “mjedisin më të rëndë dhe kompleks të sigurisë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”.
Kishida gjatë muajit maj tha se Japonia nuk kishte synim të bëhej anëtare e NATO-s, por pranoi propozimin e aleancës për të krijuar një zyrë në Japoni.
Pas komenteve të tij, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning, paralajmëroi se “shtytja e NATO-s drejt lindjes dhe ndërhyrja në çështjet e rajonit të Azisë-Paqësorit patjetër do të dëmtojë paqen dhe stabilitetin rajonal”.
Sipas një burimi të njohur me situatën, siç raportohet nga Financial Times, Macron shprehu hezitimin e tij për të miratuar çdo veprim që do të përshkallëzonte më tej tensionet midis aleancës dhe Kinës.
Gjatë vizitës së tij në Kinë në muajin prill, Macron theksoi nevojën që Evropa të zvogëlojë varësinë e saj ndaj SHBA-së dhe të shmangë tërheqjen në një përplasje të mundshme midis Kinës dhe SHBA-së në lidhje me Tajvanin.
“Paradoksi do të ishte që, të kapluar nga paniku, ne besojmë se jemi thjesht ndjekës të Amerikës”, tha Macron.
Krijimi i një zyre të re të NATO-s do të kërkonte marrëveshje unanime nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Atlantikut të Veriut.