I pari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në hapjen e Panairit të Librit në Prishtinë, me ç’rast ka vlerësuar lart librin, duke thënë se është institucioni i gjuhës, rezervati i dijeve dhe infrastrukturë intelektuale e shoqërisë.
Konjufca, në fjalën e tij hapëse, ka falenderuar edhe shkrimtarin e madh shqiptar, Ismail Kadare, i cili ishte i pranishëm sot me rastin e kësaj ngjarjeje kulturore.
“Me rastin e hapjes së Panairit të Librit në Prishtinë pata nderin të flas para dashamirësve të librit dhe përkrah botuesve dhe personaliteteve të letërsisë shqipe.
Prania e shkrimtarit të madh të kombit tonë, Ismail Kadaresë, në këtë ngjarje të madhe të kulturës dhe dijes publike shqiptare i dha kësaj dite një rëndësi të pakrahasueshme.
E falenderova z. Kadare që arriti ta bëjë letërsinë shqipe të përbotshme. Ne kemi shkrimtarët tanë që arritën t’i flasin kombit tonë, por kemi dhe Kadarenë që arriti t’i flasë botës duke qenë brenda kombit shqiptar. Për Kosovën u bë zëri kolektiv që foli me figurat më të rëndesishme të botës, duke punuar pa u lodhur për lirinë e tonë dhe emancipimin e popullit shqiptar.”, është shprehur Konjufca.
“Libri është institucioni i gjuhës, rezervati i dijeve, infrastrukturë intelektuale e shoqërisë, që i mbijeton çdo kohe dhe është i pashkatërrueshëm, si mishërim i idesë.
Gjej rastin të ftoj secilin që të vizitojë ambientet ku po zhvillohet Panairi i Librit në Prishtinë. Të gjithë jemi lexues, e vetëm disa janë shkrimtarë. Në Panairin e Librit do të ndiheni se jeni në shtepinë e përbashkët të shkrimtarit dhe lexuesit.”, ka shtuar tutje./FolDrejt/