Ministri i Punëve të Jashtme i Malit, Abdoulaye Diop, bëri thirrje për një takim të posaçëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për të paraqitur prova të “akteve të spiunazhit” dhe “destabilizimit” nga Franca.
Duke folur në një konferencë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në New York, ku u diskutua raporti i fundit i sekretarit të përgjithshëm mbi situatën e sigurisë në Mali, Diop tha se “është e habitshme që si pjesë e llogarisë faktike raporti nuk përmendi Referimin e Malit në Këshillin e Sigurimit më 15 gusht 2022 në lidhje me tentativat për destabilizimin dhe shkeljet e përsëritura të hapësirës ajrore nga forcat franceze”, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Diop përsëriti kërkesën e tij për një “takim specifik” në mënyrë që të paraqesë “prova konkrete të dyfytyrësisë, spiunazhit dhe akteve destabilizuese të Francës kundër Malit”.
Ai gjithashtu akuzoi Francën për ndarjen e informacioneve të inteligjencës dhe lënien e “materialeve në dobi të organizatave kriminale”, duke shkaktuar pasiguri dhe dhunë kundër civilëve.
“Këto akte jashtëzakonisht të rënda agresioni përbëjnë një shkelje të Kartës së OKB-së, por gjithashtu përbëjnë një shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe nuk duhet të mbeten të pa sfiduara”, tha Diop.
Ai njoftoi se vendi i tij rezervon të drejtën për të përdorë vetëmbrojtje nëse Franca vazhdon të minojë sovranitetin e Malit, integritetin e tij territorial dhe sigurinë kombëtare.
Më tej, ai sfidoi “fuqishëm” Këshillin e Sigurimit të OKB-së duke denoncuar “luftën me prokurë” të imponuar ndaj Malit, si dhe manovrat dhe pengesat për mbajtjen e këtij “takimi specifik”.
Sipas tij, duhet të lejohet të shprehet e vërteta, derisa opinioni kombëtar dhe ndërkombëtar duhet të edukohen njëherë e mirë për shkaqet rrënjësore të faktorëve që krijojnë pasiguri, destabilizim dhe përhapje të terrorizmit në Sahel.
Mali ka ndërprerë marrëdhëniet e sigurisë me Francën, e cila ka qenë shoqëruese në luftën kundër terrorizmit që ka minuar vendin prej vitesh.
Sipas autoriteteve të Malit, ky bashkëpunim ka qenë i dështuar.
Autoritetet franceze kanë mohuar çdo përfshirje në sigurinë dhe paqëndrueshmërinë politike në Mali./FolDrejt/