Kryeministri holandez Mark Rutte, i cili dha dorëheqjen të premten, tha sot se nuk do të kandidojë për një mandat të pestë dhe se do të largohet nga politika pas zgjedhjeve të nëntorit.
Reuters kujton se Rutte dha dorëheqjen të premten gjatë mandatit të tij të katërt si kryeministër, pasi ai nuk arriti të prezantonte një masë për një politikë më të rreptë emigracioni.
“Kam marrë një vendim që nuk do të jem më në dispozicion si kryetar i Partisë Popullore për Liri dhe Demokraci. Kur të krijohet qeveria e re pas zgjedhjeve, unë do të largohem nga politika. Ditët e fundit ka pasur shumë spekulime se çfarë më ka motivuar. Përgjigja e vetme është Holanda”, tha Rutte në një fjalim në parlament, përpara debatit për shpërndarjen e qeverisë./FolDrejt/