Për herë të parë, sot është mbajtur konventa e studentëve të Universitetit të Prishtinës, në mënyrë që të miratohet një rezolutë, lidhur me kërkesat dhe nevojat e të rinjve drejtuar, presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës.
Në këtë konventë kanë marrë pjesë 500 studentë nga drejtime të ndryshme të Universitetit të Prishtinës.
Koordinator Nacional për Gjeneratën e Re, Avdullah Hasani, tha se të rinjtë kosovarë dhe ata evropianë nuk dallojnë për nga dija apo kapacitetet, por nga vendi se ku jetojnë.
Kreshnik Smakiqi, kryetar i këshillit të Fakultetit të Juridikut, tha se studentët meritojnë vëmendje dhe kushte më të mira. Ai ka shpalosur edhe disa shqetësime dhe kërkesa.
“Pas vendimit për të bërë bursën me vlerë 600 euro, ne patëm organizuar edhe një peticion. Një bursë dinjitoze për neve do të ishte me vlerë 1000 euro. Bursa komunale është thuajse e njëjtë me vlerë të asaj universitare, UP po i demotivon studentët”, tha ai.
Shqetësim tjetër për kushtet e studentëve, pati edhe Dafina Syla nga Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore.
“Për ne si studentë të Kosovës nuk është lehtë të jemi studentë sepse kemi kushte të mjerueshme. Nuk kemi as laboratorë e as dorëza me bo eksperimente, ne nuk kemi bash asgjë hiç. Dua t’i ftoj liderët shtetërorë të shohin ku po mësojim”, tha ajo.
Ndërsa, përfaqësuesi i komuniteteve pakicë, Denur Paqaku, foli për diskriminimin që u bëhet studentëve të komuniteteve duke kërkuar ridefinimin e politikave afirmative.
Kjo konventë organizohet nga Qeveria e Kosovës dhe Universiteti i Prishtinës.