Kanë mbërritur delegacionet që do të marrin pjesë në takimin e Këshillit Ministerial të 30-të të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që po mbahet në Maqedoninë e Veriut, shkruan AA.
Mbledhjet do të mbahen midis datave 30 nëntor-1 dhjetor në Sallën Sportive “Boris Trajkovski” në Shkup.
Delegacionet pjesëmarrëse i pret ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut dhe kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani.
Türkiye në takim përfaqësohet nga zëvendësministri i Jashtëm, Burak Akçapar.
Në hapjen e sesioneve do të drejtohen kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut dhe kryesuesi i OSBE-së, Osmani, si dhe përfaqësues të OSBE-së.
Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, dje mori pjesë në darkën informale që u organizua në nder të mysafirëve, dhe më pas u largua nga vendi, ndërsa sot në punimet e Minesterialit pritet pjesëmarrja edhe e kryediplomatit rus Sergey Lavrov.
Për shkak të pjesëmarrjes së Lavrovit, më parë ministrat e Jashtëm të shteteve baltike dhe kryediplomati ukrainas Dmytro Kuleba kishin njoftuar se do ta bojkotojnë Ministerialin.
Në punimet pritet pjesëmarrja e rreth 1.000 personave nga 76 delegacione, prej të cilëve 57 shtete anëtare të OSBE-së.
Ndërkohë janë marrë masa të gjera sigurie në Sallë dhe përreth saj.
Maqedonia e Veriut kryesoi me OSBE-në gjatë vitit 2023, ndërsa punimet i kreu me sloganin “fjala është për njerëzit”.
Kryesimin e radhës për 2024 pritet ta marrë Malta, raporton AA, përcjell Fol Drejt.