Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot ka pritur në takim të rregullt ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier.
Në takim është diskutuar për zhvillimet në vend, rajon dhe më gjerë nga ndikimet në ekonomi dhe në fushën e sigurisë nga lufta në Ukrainë.
Presidentja Osmani kërkoi mbështetjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në adresimin e pasojave ekonomike nga ngritja e çmimeve të produkteve ushqimore bazë në Kosovë.
Ajo gjithashtu potencoi se mbështetja e Shteteve të Bashkuara është qenësore për thellimin e raporteve dhe bashkëpunimit me NATO-n duke marrë parasysh synimin legjitim të Republikës së Kosovës për të qenë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike, programit të Partneriteti për Paqe dhe Kartës së Adriatikut.
Ndryshe, një ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka themeluar Grupin ndërinstitucional për integrimin e Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike, NATO.
Objektivat kryesore të këtij grupi do të jenë avancimi i procesit të integrimit në NATO, përfshirja sa më e shpejtë e Kosovës në Partneritetin për paqe, anëtarësimi në Kartën e Adriatikut A 5, fuqizimi i pranisë së Kosovës në mekanizmat tjerë dhe intensifikimi i bashkëpunimit me aleatët strategjik ndërkombëtar. /Telegrafi/