Ministri Mehaj ka marrë pjesë në përurimin e shtatores së Adem Jasharit dhe Hasan Prishtinës në Mushtisht.
Gjatë këtij përurimi, ku të pranishëm ishin edhe familjarë, në këtë mes edhe Rifat Jashari, ministri Mehaj tha se figura të tilla si e Adem Jasharit dhe Hasan Prishtinës nuk njohin kufi, ngase nuk njihnin as sa ishin gjallë.
“Hasan Prishtina, nuk ishte i Prishtinës e as i Vushtrrisë, ashtu siç edhe Ademi nuk ishte vetëm i Drenicës, por ashtu siç edhe sot, ishin gjithmonë të atdheut, të çdo treve ku flitet shqip, ku buron dashuria për vendin dhe guximi për të luftuar”, ka shkruar Mehaj në një postim të tij në facebook.
“Të përbashkët këto dy figurave edhe pse të formuar në dy periudha të ndryshme kohore kishin origjinën, trimërinë që ishte produkt i rritjes në frymën atdhetare, që nuk linte zgjidhje tjetër përveçse për të kuptuar rëndësinë e organizimit politik, rëndësinë e kryengritjes kundër pushtuesve e formimit të një shteti demokratik shqiptar.
Në mendjen e këtyre dy figurave tona kombëtare jehonte fuqishëm ideja e çlirimit të trojeve shqiptare, e lidhja e pashkëputshme e Kosovës me Shqipërinë, dhe ashtu si në çdo periudhë historike, kauza bashkoi rrugëtimin e tyre me patriotë tjerë, Hasan Prishtina i parapriu Adem Jasharit, për të përmbyllur një epokë betejash e luftrash të përgjakshme, të padrejta për popullin shqiptar por të domosdoshme për t’i dhënë fund terrorit dhe për t’ia kthyer popullit lirinë.”, shton ai tutje.
“Njeriu pa kombin është asgjë, e kombi pa brezat e ardhshëm shuhet, andaj edhe angazhimi ynë për rininë është detyrë kombëtare, amanet i të parëve e porosi e rilindasve.
Kjo datë, këto dy figura, Hasan Prishtina e Adem Jashari, na bënë bashkë edhe sot, ashtu siç bënë gjithmonë, sepse figura të tilla nuk shuhen kurrë.”, shprehet Mehaj./FolDrejt/