Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, nën shoqërimin edhe të krerëve institucionalë të shtetit ka bërë vizitë në Poklek e Çikatovë të Vjetër, në shënimin e 24-vjetorit të masakrave ndaj popullit civil shqiptar.
Mehaj ka thënë se mospranimi i krimeve nga ana e pushtetit serb është t’i dënosh me vdekje për së gjalli familjarët e viktimave, është vrasje edhe më e rëndë se e para. Ndërkaq, për mosdënimin e autorëve ka thënë se është agonia që pengon ecjen para.
“Sot, 24 vjet më parë, banorët e fshatit Poklek e Çikatovë të Vjetër përjetuan tmerrin e rëndë të një masakre barbare me autorë policinë e ushtrinë serbe që çnjerëzisht kryen gjenocid ndaj popullatës civile duke mos kursyer as fëmijët.
77 viktimat e kësaj masakre të cilët përveçse janë vrarë, janë masakruar e pastaj dhe djegur, janë dëshmia e barbarisë së shtetit kriminal serb, ndërsa 17 prilli i vitit 1999 do të jetë data që përjetësisht do të qëndroj ngulitur në memorien e familjarëve të viktimave, familjeve Muqolli, Caraku e Elshani, banorëve të Drenasit dhe gjithë Kosovës.”, është shprehur Mehaj në një postim në Facebook.
“Ata nuk harrohen sepse mungesa e tyre ndihet çdo ditë.
Mospranimi i krimeve nga ana e pushtetit serb është t’i dënosh me vdekje për së gjalli familjarët e viktimave, është vrasje edhe më e rëndë se e para.
Mosdënimi i autorëve të krimit është agonia që pengon ecjen para, qetësia që nuk mund të vendoset dhe e ardhmja paqësore që nuk mund të arrihet.
Pajtimit të vërtetë i paraprin drejtësia e kërkim falja për viktimat, pranimi i ekzistencës së njëri-tjetrit e i fakteve, përgjegjësia shtetërore e shoqërore, dëmshpërblimi.”, ka shtuar Mehaj tutje.
“Agresori të mos sillet si viktimë por të njoh realitetin. Vetëm ashtu bëhet ndërtimi i paqes së qëndrueshme, të ardhmes së sigurtë.
Drejtësia duhet të vendoset në mënyrë që historia të mos përsëritet!”, ka përfunduar ministri i Mbrojtjes./FolDrejt/