Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka përkujtuar betejën e Grykës së Llapushnikut, të cilën e ka konsideruar si njërën prej fitoreve më të rëndësishme kundër forcave serbe, transmeton Fol Drejt.
“Nga 7 deri më 9 maj të vitit 1998, luftëtarët e UÇK-së zhvilluan një prej betejave dhe fitoreve më të rëndësishme në Grykën e Llapushnikut kundër forcave serbe – në mbrojtje dhe kërkim të lirisë.
Për tri ditë me radhë, heronjtë si Fehmi e Xhevë Lladrovci, Shaban Shala, Rasim Kiçina, Bekim Berisha – Abeja, Imer Krasniqi, Ymer Alushani, Ali Zogaj, Gani Elshani, Sokol Elshani, Sami Bogiqi, Besim Halilaj dhe shumë luftëtarë e vullnetarë nga Drenica me zonat tjera të UÇK-së – dëshmuan se janë të gatshëm të japin edhe jetën e tyre në këmbim të çlirimit dhe mëvetësisë.”, ka shkruar Krasniqi në një postim në Facebook.
“Fitorja e madhe e luftëtarëve tanë, e cila u konkretizua me 9 maj, vendosi nën kontrollin e UÇK-së për tre muaj me radhë pikën strategjike të Grykës së Llapushnikut – duke i dhënë nam edhe ndërkombëtar organizimit dhe luftës tonë për liri.
Lavdi të përjetshme të gjithë dëshmorëve të cilët ranë në betejat e njëpasnjëshme për liri!”, ka shtuar Krasniqi tutje./FolDrejt/