Lionel Messi është rikthyer në stërvitje me PSG-në pas një udhëtimi të paautorizuar, sipas klubit parisien, në Arabinë Saudite.
Klubi ia mbajti pagën për gjysmën e muajit të kaluar, shkruan Marca, dhe Messi kërkoi falje publike dhe tha se mendonte se kishte një ditë pushimi.
“Mendova se si gjithmonë do të kishim një ditë pushimi pas ndeshjes. Tashmë e kisha organizuar udhëtimin dhe nuk mund ta anuloja. Tashmë e kisha shtyrë më herët për shkak të detyrimeve. Kërkoj falje për shokët e skuadrës dhe jam në pritje për të parë se çfarë do të vendosë klubi”, tha futbollisti.
Kontrata e Messit me PSG-në skadon këtë verë dhe ende nuk dihet nëse ai do ta vazhdojë atë. Opsioni i rikthimit te Barcelona, nga e cila iu desh të largohej për shkak të problemeve financiare të klubit, po përmendet gjithnjë e më shumë në mediat e huaja, transmeton Fol Drejt.