E shtunë, 2 Mars, 2024

MI ARSYETOHET MBI KONTRATËN PËR ZGJATJEN E PISTËS SË ANP-SË

Është prezantuar sot pasdite një raport hulumtues në lidhje me Kontratën për zgjatjen e pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, të cilën, pavarësisht premtimeve të bëra, Ministria e Infrastrukturës ende nuk e ka bërë publike.

Hekuran Murati, autor i këtij hulumtimi, ka thënë se kontrata është nënshkruar më 4 gusht 2017, me qëllim zgjatjen e pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për 500 metra si dhe blerjen e pajisjeve tjera që nevojiten për ngritje të sistemit të aterrimit dhe rekomandimit.

Lexoni edhe..

Sipas tij, vlera e kësaj kontrate është 33.6 milionë euro, dhe deri më tani Ministria e Infrastrukturës nuk e ka bërë publike kontratën, me gjithë premtimet për ta bërë një gjë të tillë.

Murati ka thënë se gjetjet nga analiza tregojnë se nënshkrimi i Kontratës për Zgjatjen e Pistës është në kundërshtim me ligjet në fuqi ngase financimi i këtij projekti paraqet subvencionim të kompanisë private dhe jo investim publik siç pretendohet.

“Ministria po investon para publike në një biznes privat. Para qe do të investohen në ndërtimin e asaj piste, të asaj pjese të pistës 500 metra, ajo pjesë do të bëhet pjesë integrale e pistës dhe vend ndodhjes aktuale të aeroportit. Derisa të përfundon kontrata e koncesionimit, ajo do të jetë ekskluzivisht në shfrytëzim të koncesionit/ pra, ministria edhe pse po investon në të, nuk do ta ketë asnjë të drejtë mbi atë pjesë të pistës. Ky është problemi. Pra, ky 34 milionë, është investim i parasë publike në biznes privat. Me fjalë të tjera është subvencionim, mirëpo pa i përfillur procedurat e subvencionimit. Problemi nuk është vetëm kaq, në bazë të asaj që kam analizuar skema vazhdon edhe më tutje. Është përgatitur një skemë, që parash transferimin ose faljen e rreth 84 eurove prej Qeverisë, “Limakut””, tha Murati.

Kjo kontratë, sipas tij, duhet të shpallet e pa vlefshme për kompaninë ‘Limak’, pasi është e kundërligjshme.

Eset Berisha, këshilltar politik i ministrit të Infrastrukturës, duke vlerësuar lart këtë hulumtim, tha se më 10 shtator 2017 kur ka marrë mandatin, ministri Pal Lekaj ka gjetur një kontratë nënshkruar më 4 gusht 2017, dhe tash kjo ministri është e obliguar ta zbatojë vendimin.

“Ne kemi gjetur një kontratë të nënshkruar, e cila si e tillë duhet të implementohet. Është detyrim për zbatim, sepse është ligj për palën. Kontrata duhet të zbatohet dhe nuk kemi pasur rrugëdalje tjetër përveç të zbatojmë kontratën në përpikëri ashtu siç është nënshkruar. Po, për momentin është duke u kontraktuar inxhinieri i pavarur mbikëqyrës për realizimin e këtyre punimeve”, tha Berisha.

Ai ka shtuar se secila kontratë është specifike, dhe nëse thuhet tash se është e kundërligjshme pa u verifikuar është e padrejtë prej MI-së me konstatuar.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, ka thënë se ka kontrata të shumta, të cilat nuk janë bërë publike dhe klauzolat konfidenciale duhet hequr dhe të  bëhen publike të gjitha kontratat.

“Neni 120.1 i kushtetutës obligon, që kur kemi të bëjmë me shpenzim të financave publike, ky shpenzim të bëhet në mënyrë transparente dhe me llogaridhënie. Kontratat të cilat kanë klauzolë konfidencialiteti. Ajo klauzolë është e pavlefshme, sepse bie në kundërshtim me kushtetutën e vendit tonë. Ne kemi pasur shumë raste dhe shumë kontrata, të cilat nuk bëhen publike”, ka thënë Sejdiu.

Analisti Haki Abazi tha se vullneti politik është i kriminalizuar dhe kontrata e dëmshme e aeroportit për pistën ishte dashur të ndalet nga kabineti i ministrit Lekaj.

“Kush do që ka bërë gabim, a është LDK, a është PDK, a është VV, a AAK, nëse individi nuk e ka respektuar ligjin, ai njeri duhet me shkuar në burg”, tha Abazi.

Profesori në RIT (AUK), Besnik Bislimi, theksoi se çështja e pistës është ngjashëm me shumën e mjeteve edhe për “Bechtel Enka” dhe rasti tjetër me Telekomin. Sipas tij, dallaveret më të mëdha bëhen në Ministri të Infrastrukturës.

“Të gjitha këto dallavere bëhen në momente tranzitore, kur është qeveria në dorëheqje ose ka dorëzuar mandatin, ose sapo është emëruar bordi i ri, i cili kinse nuk i ka ditur detajet… Krejt këto dallavere bëhen në Ministri të Infrastrukturës”, theksoi Bislimi.

Në këtë panel ishin të ftuar edhe përfaqësues të LDK-së, të cilët në këtë kohë kanë qenë drejtues të Ministrisë së Infrastrukturës, por që nuk kanë marrë pjesë.

Të ngjajshme