Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka vizituar familjen e dëshmorit, Rifat Goxhufi, transmeton Fol Drejt.
Mehaj ka ngritur lart kontributin dhe atdhedashurinë e dëshmorit Goxhufi, duke treguar se e njëjta dashuri është trashëguar ndër breza, teksa tash djali i Rifat Goxhufit dhe gruaja e tij shërbejnë në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Të rritesh në frymën kombëtare dhe me dashuri ndaj atdheut do të thotë t’i përgjigjesh atij sa herë që ai ka nevojë pavarësisht se ku ndodhesh. Kështu bëri edhe dëshmori Rifat Goxhufi i cili u kthye nga Gjermania dhe u rreshtua në radhët e UÇK-së.
Fillimisht vendoset në Shqipëri ku furnizohen me aramatim dhe me pajisjet e nevojshme, e më pas me një skuadër nisen për në Kosovë. Skuadra e komanduar nga Rifat Goxhufi hyri në Koshare, nga aty vëzhgonin terrenin dhe gjatë natës ndermerrnin sulme për të depërtuar edhe më thellë në territorin që kontrollohej nga armiku.
Rifati ishte në krye të detyrës kur u plagos rëndë nga snajpëristët kriminelë serb, ajo plagë ishte fatale për të, ai u përjetësua si dëshmor i lirisë, falë të cilit atdheu ynë fitoi lirinë.
Tani djali i Rifatit, Durimi së bashku me gruan e tij shërbejnë në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Nder e krenari për familjen dhe kombin tonë.
Lavdi Rifatit dhe gjithë dëshmorëve të kombit.” është shprehur në një postim në profilin e tij në Facebook ministri Mehaj për dëshmorin Goxhufi, transmeton Fol Drejt.