Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, bëri homazhe sot në Izbicë së bashku me Presidenten e vendit Vjosa Osmani-Sadriu dhe Kryeministrin Albin Kurti.
Për këtë ajo reagoi edhe përmes një postimi në Facebook, përcjell Fol Drejt.
“24 vite nga masakra e Izbicës
Me 28 mars 1999, pas rrethimit të fshatit Izbicë dhe të vendbanimeve përreth, forcat policore dhe ushtarake serbe vranë dhe masakruan 147 shqiptarë dhe 6 mbeten ende të zhdukur.
Masakra e Izbicës është ndër masakrat më të tmerrshme që ka përjetuar populli ynë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Masakra e Izbicës së Skenderajt është një nga ato ngjarjet tmerruese të cilat lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e të gjithëve.
24 vite më vonë, askush nga autorët e kësaj masakre e as orkestruesit e saj nuk u vënë para drejtësisë. Ata vazhdojnë të jenë të lirë, e mohimi ndaj krimeve e vuajtjeve të shkaktuara ndaj popullit tonë nuk ndalet.
Ne do vazhdojmë të punojmë me përkushtimin më të madh për fuqizim të institucioneve që sjellin drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Martirëve të Izbicës u qoftë lavdi e përjetshme!”, thuhet në reagimin e ministres Haxhiu./FolDrejt/