Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se takimet që ajo dhe kryeministri Kurti i kanë zhvilluar me partitë opozitare për të diskutuar për vettingun kanë shkuar shumë mirë.
“Në raport të takimeve me opozitën, kemi kaluar shumë mirë, kanë qenë takime shumë të mira edhe me PDK-në edhe me AAK-në, sikurse edhe me partitë që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë në Kosovë, do të vazhdojmë që të kemi takime edhe me grupe të tjera në qoftë se kanë vullnet për takime të tilla”, është shprehur Haxhiu në Rubikon në Klan Kosova.
Tutje Haxhiu tha se kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, do t’i thërrasë së shpejti grupet parlamentare për të diskutuar për vettingun pasi partitë e opozitës kanë pasur rekomandime të ndryshme se si të procedohet tutje.
“Kryeparlamentari Konjufca planifikon që t’i thërras grupet parlamentare për të parë mundësinë e ecjes tutje, sepse në takimet që kemi pasur PDK-ja ka propozuar që gjithçka që është bërë në Ministrinë e Drejtësisë të kalojë në duart e Kuvendit të Kosovës, pra që hisedar i reformës në drejtësi të bëhet Kuvendi i Republikës së Kosovës edhe nga LDK-ja kanë thënë ashtu, ndonëse nuk kemi pasur mundësi t’i takojmë”.
“Sa i përket AAK-së, mendimet ishin të kundërta me ato të dy partive tjera, zotëri Selimi ishte i mendimit që duhet të përmbyllet puna në Ministrinë e Drejtësisë, pastaj t’i procedoj ato në Kuvendin e Kosovës. Ne nuk e kemi fare problem se kush bëhet hisedar i kësaj, kjo aspak nuk është e rëndësishme për MD-në apo për Qeverinë”, tha Haxhiu, njofton Klankosova.tv.