Qeveria britanike hodhi poshtë kërkesën për të lejuar një referendum të dytë të pavarësisë në Skoci, në kohën kur kryeministri Boris Johnson po lufton për postin e tij pas një sërë dorëheqjesh nga qeveria.
“Kam shqyrtuar me kujdes argumentet që keni paraqitur për një transferim të pushtetit nga Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar në Parlamentin Skocez për të mbajtur një referendum tjetër për pavarësinë”, tha Johnson në një letër drejtuar ministres së parë skoceze, Nicola Sturgeon, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Teksa vendi ynë përballet me sfida të pashembullta brenda dhe jashtë vendit, nuk mund të pajtohem që tani është koha për t’u kthyer te një pyetje, së cilës iu përgjigj qartë populli i Skocisë në vitin 2014”, theksoi Johnson.
Duke shpërndarë letrën në Twitter, Sturgeon shkroi: “Sapo e mora këtë nga Johnson (një nga veprimet e tij të fundit si kryeministër?)”, duke vënë në dyshim të ardhmen e afërt politike të kryeministrit britanik pas dhjetëra dorëheqjeve nga qeveria e tij konservatore që nga dje.
“Për të qenë e qartë, Skocia do të ketë mundësinë të zgjedhë pavarësinë. Shpresoj në një referendum më 19 tetor 2023, por, nëse jo, përmes zgjedhjeve të përgjithshme. Demokracia skoceze nuk do të jetë peng i këtij apo ndonjë kryeministri tjetër”, tha Sturgeon.
Njoftimi i ministres skoceze Sturgeon erdhi pasi qeveria skoceze publikoi një projekt-ligj të ri për votimin e dytë.
Qëllimi i referendumit është “të konstatojë pikëpamjet e popullit të Skocisë nëse Skocia duhet të jetë një vend i pavarur apo jo”, tha Sturgeon.
Ajo tha gjithashtu se referendumi duhet të jetë i ligjshëm dhe se qeveria skoceze do të informojë se çfarë do të bëjë nëse qeveria në Londër bllokon një votim të tillë.
Referendumi i parë ku skocezët u prononcuan nëse duan të ndahen nga Britania e Madhe ishte vetëm dy vjet para votimit historik për Brexit.
Qeveria britanike nën kryeministrin e atëhershëm David Cameron u zotua për një mirëkuptim më të mirë për skocezët dhe “fuqi të reja të gjera” për parlamentin skocez.
Partia Kombëtare Skoceze, pjesë e së cilës është Sturgeon, atëherë kishte besim të plotë se vendi do të mbijetonte dhe madje do të ishte më mirë jashtë Britanisë së Madhe, me një pozitë të forcuar nga fushat e naftës të vendit në Detin e Veriut dhe industritë tjera, duke përfshirë motorët e avionëve.
Ideja, megjithatë, u refuzua nga skocezët, pasi pak më shumë se 2 milionë persona (55,3 për qind) votuan për të mbetur pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa 1,62 milionë (44,7 për qind) persona votuan për pavarësinë./FolDrejt/