Misioni i Përhershëm Vëzhgues i Palestinës në OKB në Gjenevë tha sot se është i tmerruar nga “mosveprimi i komunitetit ndërkombëtar” kundër dhunës në rritje në Gaza që nga 7 tetori.
“Jemi të tmerruar nga mosveprimi i komunitetit ndërkombëtar përballë luftënxitjeve”, tha Dima Asfour, sekretarja e parë e misionit, në një konferencë shtypi në Gjenevë, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Asfour kritikoi disa vende perëndimore për mbështetjen që i japin Izraelit.
“Në Perëndim, në përgjithësi, ne shohim qeveritë që konkurrojnë me njëra-tjetrën se kush do t’i japë më shumë mbështetje politike, ushtarake dhe diplomatike Izraelit, ndërsa ai vazhdon spastrimin etnik të popullit palestinez, siç ka bërë që nga viti 1948”, tha ajo.
“E drejta ndërkombëtare është e qartë në lidhje me shkeljet e rënda që kryhen nga Izraeli”, tha ajo, duke shtuar se besueshmëria e këtyre rregullave varet nga zbatimi nga shtetet palë në të gjitha rrethanat, por “jo vetëm kur është e përshtatshme apo e volitshme politikisht”.
“Këto janë momente të rënda. Ato kërkojnë udhëheqje serioze dhe të përgjegjshme”, porositi ajo.
“Asnjë zyrtar qeveritar nuk duhet të dëshirojë të shihet si bashkëpunëtor në vrasjet masive të civilëve palestinezë ose në vazhdimin e tyre”, shtoi Asfour.
Ushtria izraelite ka zgjeruar sulmet e saj ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës, i cili ka qenë nën sulme të pamëshirshme ajrore që nga operacioni ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor.
Rreth 10.600 njerëz janë vrarë që atëherë në konflikt, duke përfshirë të paktën 9.061 palestinezë dhe 1.538 izraelitë.
Përveç numrit të madh të viktimave dhe shpërnguljeve, furnizimet bazë po mbarojnë për 2,3 milionë banorët në Gaza për shkak të rrethimit izraelit.