Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati tha se masa për subvencionimin e kursimit të energjisë elektrike përgjatë stinës dimërore ka qenë ndër masat më të suksesshme në rajon.
Për këtë ai u shpreh përmes një postimi në Facebook, përcjell Fol Drejt.
“Masa për subvencionimin e kursimit të energjisë elektrike përgjatë stinës dimërore ka qenë ndër masat më të suksesshme në rajon.
Si rezultat i suksesit të treguar në 3 muajt e parë (shtator-nëntor 2022), Bashkimi Evropian ka pranuar ta përfshijë si masë në pakon mbështetëse për energji, për të vazhduar mbështetjen edhe për 4 muaj tjerë (dhjetor 2022 – mars 2023), deri në fund të stinës së dimrit.
Subvencioni për mbi 196 mijë familjet që kanë kursyer gjatë muajit mars, tashmë është proceduar dhe shumë shpejt do të shfaqet edhe në llogaritë online në KESCO.
Si rezultat i kursimit nga familjet, janë shpenzuar 434 GWh energji elektrike, që përkthehet në mbi 88 milionë euro të kurseyera, që do të shpenzoheshin në import po të mos kursehej.
Qeveria vazhdon të mbetet e përkushtuar për mbështetjen e qytetarëve në tejkalim të krizës energjetike përmes masave të ndryshme, një pjesë e të cilave poashtu mbështeten nga BE”, u shpreh Murati./FolDrejt/