“PSG-Messi, një ëndërr e mundur”, ky është titulli i të përditshmes franceze “L’Equipe”. “Pleshti” argjentinas mbetet një nga emrat më të lakuar në merkato, fakti që i skadon kontrata në fund të sezonit shton edhe më shumë këto zëra, për më tepër që marrëdhënia e tij me Barcelonën nuk është nga më të mirat. Në vigjilje të sfidës së parë në Champins League, Barcelona-PSG, e vlefshme për fazën e 1/8, në Francë shtojnë edhe më shumë presionin.
Messi ka qenë prej kohësh një nga ëndrrat më të mëdha të sheikut Al Khelaifi, por këtë herë është më shumë se një ëndërr, apo fiksim, është një mundësi konkrete që pritet të marrë më shumë formë në përfundim të këtij sezoni. Stafi drejtues i PSG, me në krye Leonardon, kanë nisur punën prej kohësh për të bërë realitet këtë ëndërr të bosit të tyre. Parisienët kanë gati shumën e duhur për të përmbushur egon e sulmuesit argjentinas, të paktën në aspektin financiar, një pagë sezonale prej më shumë se 70 milion euro, plus bonuse të ndryshme. Në garë për të siguruar shërbimet e Messit mbetet edhe Man.City me Pep Guardiolën, rivalët e vetëm që mund të rrezikojë këtë transferim.