Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë”, ka folur edhe për iniciativën e saj të re politike, që është në diskutim.
“Mua më duhet ta zgjedh mundësinë më të mirë për të dhënë kontribut që vendi im të ecë përpara. Përderisa LDK-ja nuk e dëshiron kontributin tim, unë jam e detyruar që të shikoj se si këtë kontribut ta kanalizoj në mënyrën më të mirë. Iniciativa është diçka që jemi duke e diskutuar. Pra, jemi vetëm në fazën e diskutimeve të ideve se si do të mund të funksiononte diçka e tillë, me njerëz intelektual, me njerëz të ngritur, me njerëz që e duan këtë vend, me njerëz profesionistë dhe me integritet”.
“Shumë herë në Kosovë krijohet përshtypja që ndonjë iniciativë politike ose cilado ide që dëshiron ta çosh përpara – edhe hiç pa qenë iniciativë – duhet të bëhet vetëm me njerëzit që janë aktualisht në politikë”, ka thënë Osmani.
Në pyetjen se: Për çka do të angazhohet kjo inicativë?
Vjosa Osmani ka dhënë këtë përgjigje: “Për çkapjen e shtetit, demokratizimin e vendit dhe hapjen e rrugës për profesionistët e vërtetë dhe njerëzit me integritet, që ta bëjnë këtë shtet ashtu siç e meritojnë qytetarët tanë dhe ta bëjnë këtë shtet një vend me të cilin ata do të mburren, e jo një vend nga i cili dëshirojnë të ikin”.
Osmani ka thënë se në LDK mund të rikthehet vetëm nëse ka një lëvizje për reformim.
“Unë do të pres të shoh se çka do të ndodhë në LDK përgjatë këtyre viteve. Në qoftë se aty vërtet ka një lëvizje për reformim, i cili i sjell në pah njerëzit, të cilët e mbajnë fjalën publike, kanë përgjegjësi për fjalën publike, nuk përzihen me parti, të cilat janë shquar për krim e korrupsion, por janë vërtet të interesuar që nëpërmjet qeverisjes së pastër dhe qeverisjes vetëm me partnerë të tjerë të pastër ta bëjnë Kosovën shtet ku ka shpresë, sidomos për rininë tonë, atëherë natyrisht që unë do të rikthehem”, ka thënë Osmani.