Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar për rinisjen e gërmimeve në lokacionin Shtaval, Sienicë, në territorin e Serbisë.
Sipas KQPZh-së, gërmimet kanë rinisur pas shumë kërkesave nga institucionet e Kosovës drejtuar atyre të Serbisë.
“Pas 2 vitesh kërkesash e takimesh në mes të nëngrupeve punuese të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, gërmimet e nisura në maj të vitit 2021, me datë 08.11.2023, përkundër disa paqartësive që ekzistojnë, kanë rifilluar në lokacionin e quajtur Shtaval, Sienicë, në territorin e Serbisë”, ka njoftuar KQPZh-ja.
Të pranishëm në këto gërmime, janë ekipet nga KQPZh dhe IML.
Me qellim të ruajtjes së procesit, Komisioni tha se për detajet tjera do të njoftojë publikun në momentin e parë që mund të ketë gjetje në atë lokacion.
“Lokacioni Shtavalj, është vetëm njëri nga lokacionet e shumta që Kosova i ka prezantuar si varreza të mundshme masive në Serbi, dhe që në vazhdimësi ka bërë kërkesë për të marrë informacione kredibile dhe për të vazhduar me gërmimet”, tha KQPZh-ja në njoftim.