Në vazhdën e angazhimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ngritjen e mirëqenies sociale në vend, Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për të tretën herë radhazi po mbështet financiarisht organizatat joqeveritare që ofrojnë shërbime të kuzhinave popullore.
Ky aktivitet realizohet në kuadër të masës 3.4 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike dhe parasheh mbështetjen e 19 organizatave humanitare me 1.2 milionë euro, të cilat do të ofrojnë shujta falas për familjet më në nevojë, përcjell Fol Drejt.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve, kryeministri Kurti tha se “kuzhinat popullore, përveç se ofrojnë shujta për ata më në nevojë, janë gjithashtu simbol i humanizmit tonë të përbashkët dhe dëshmi e fuqisë së komunitetit për të ndikuar pozitivisht në jetën e atyre, të cilët kanë më së shumti nevojë”.
Ministri Murati në anën tjetër vlerësoi lart bashkëpunimin e deritanishëm me organizatat humanitare, duke thënë se “masa 3.4 fillimisht është pilotuar për të parë nëse organizatat humanitare kanë nevojë për mbështetje nga shteti, dhe si rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm që kemi pasur deri më tani, jemi të lumtur që edhe këtë vit po vazhdojmë që përmes jush të zgjasim dorën e shtetit te familjet që kanë më shumë nevojë”.
Deri më tani, organizatat përfituese nga ky lloj i mbështetjes kanë ofruar mbi 300 mijë shujta ushqimore, ndërkaq në pranverë të vitit të kaluar, në kuadër të po të njëjtës masë, Ministria e Financave, përmes 39 organizatave joqeveritare partnere, financoi blerjen e afro 35 mijë pakove ushqimore, të cilat, organizatat i shpërndanë te familjet më në nevojë në të gjitha komunat e vendit tonë.
Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e politikave që kanë për synim mbështetjen e familjes, ngritjen e mirëqenies dhe qasjen më të lehtë në shërbime sociale për të gjithë qytetarët.
Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:
Në vazhdën e angazhimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ngritjen e mirëqenies sociale në vendin tonë, kjo është hera e tretë që po e implementojmë masën 3.4 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Kur për herë të parë u zbatua kjo masë në vjeshtën e vitit 2021, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ofroi mbështetje financiare për 13 organizata joqeveritare, për vazhdimësi të punës së kuzhinave popullore, të cilat mund të ishin ndikuar negativisht nga pandemia COVID 19.
Si rezultat, organizatat përfituese ofruan mbi 300 mijë shujta ushqimore. Masa 3.4 vazhdoi të zbatohet sërish në pranverën e vitit që lamë pas, kësaj herë në formë të pakove ushqimore. Me 39 organizata joqeveritare përfituese, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve financoi blerjen e afro 35 mijë pakove ushqimore, të cilat, organizatat i shpërndanë te familjet më në nevojë në të gjitha komunat e vendit tonë.
Andaj, duke e konsideruar bashkëpunimin e deritanishëm me organizatat bamirëse, e gjithashtu duke qenë të vetëdijshëm, që mekanizmat shtetërorë jo gjithmonë kanë efekt gjithëpërfshirës, kemi kënaqësinë që si Qeveri të vazhdojmë mbështetjen e kuzhinave tuaja popullore.
Kuzhinat popullore, përveç se ofrojnë shujta për ata më në nevojë, janë gjithashtu simbol i humanizmit tonë të përbashkët dhe dëshmi e fuqisë së komunitetit për të ndikuar pozitivisht në jetën e atyre, të cilët kanë më së shumti nevojë./FolDrejt/