Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, dhe Infrastrukturës, z. Hysen Durmishi, vizitoi Termocentralin “Kosova B” me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Korporatës Energjetike të Kosovës dhe kompanisë amerikane General Electric (GE), për Modernizimin e Turbinave me Avull të Termocentralit “Kosova B”, me vlerë 56.2 milionë euro.
Duke e vlerësuar këtë si njërën nga ngjarjet më të rëndësishme të sektorit të energjisë në Kosovë, kryeministri ka rikujtuar vjetërsinë e termocentraleve, duke thënë se njësitë e termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës kanë filluar ndërtimin para më shumë se gjashtë dekadash, dhe se ndërmjet 1960-tave dhe tani, ato të vetme kanë garantuar qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike në Kosovë.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, ai tha se termocentralet janë shfrytëzuar përtej maksimumit të operimit të tyre. Edhe në KEK më të drejtë konstatohet së shumë shpesh kemi qenë në fije të perit. Nga këto Termocentrale ai i “Kosovës B”, si më i riu, ka bartur barrën më të madhe.
“Ceremonia e ditës së sotme është një nga hapat kryesor që po marrim për të lehtësuar këtë barrë, të rrisim sigurinë e furnizimit, dhe për t’iu afruar vizionit tonë për sektorin e energjisë” u shpreh kryeministri Kurti.
Ai veçoi faktin se kompania me të cilën u nënshkrua kontrata për modernizimin e Kosova B, për të siguruar që do të Kosova B do të vazhdojë e fortë edhe për dekadat në vijim, është e njëjta që e kishte dizajnuar teknologjinë e termocentraleve zona në 1983 dhe 1984.
Si rezultat i këtij modernizimit, kapacitetet e njësive do të rritet nga 14 deri në 17 megavat, ndërkohë që pas përfundimit të punimeve që do të bëhen në Turbinën e Presionit të Lartë dhe atij të Ulët nuk do të kemi nevojë për riparime të shpeshta kapitale, por vetëm çdo 8 apo 9 vjet.
“Në thelb, këto investime rezultojnë në prodhim të shtuar të përafërt me ndërtimin e një centrali të ri të energjisë elektrike. Rritja e prodhimit do të përkthehet në pavarësi më të madhe energjetike, duke ulur kështu varësinë ndaj importeve”
Kryeministri Kurti njoftoi se në fund të këtij muaji do të lansohet ankandin i parë i energjisë në Kosovë në tokë publike me kapacitet 100 MW, se pas tij, së shpejti do të pasojnë edhe shumë skema të tjera të tilla konkurruese.
Të gjitha këto, bashkë me projektet tjera në zbatim si ai Solar4Kosova dhe i ndërtimit të kapaciteteve akumuluese në kuadër të grantit të MCC, do të sigurojnë efikasitet dhe qëndrueshmëri më të madhe jo vetëm për sektorin e energjisë, por edhe për ekonominë dhe për sigurinë kombëtare, u shpreh kryeministri Kurti, i cili po ashtu tha se mirëmbajtja e përgjegjshme e pronës publike dhe e aseteve tona energjetike – si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit të tyre – është një domosdoshmëri.
Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:
Kam kënaqësinë që sot, së bashku me të gjithë ju. Derisa po shtrojmë rrugën legjislative dhe strategjike në sektorin tonë të energjisë, nënshkrimi i sotshëm shënon një ngjarje vendimtare për njërin nga shtyllat kryesore të Kosovës në sektorin e energjisë: KEK-un.
Njësitë e termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës kanë filluar ndërtimin para më shumë se gjashtë dekadash. Ndërmjet 1960-tave dhe tani, ato të vetme kanë garantuar qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike në Kosovë.
Termocentralet janë shfrytëzuar përtej maksimumit të operimit të tyre. Edhe në KEK më të drejtë konstatohet së shumë shpesh kemi qenë në fije të perit, duke rrezikuar funksionimin e tyre. Nga këto Termocentrale ai i Kosovës B, si më i riu, ka bartur barrën më të madhe.
Ceremonia e ditës së sotme është një nga hapat kryesor që po marrim për të lehtësuar këtë barrë, të rrisim sigurinë e furnizimit, dhe për t’iu afruar vizionit tonë për sektorin e energjisë.
Ka shumë kuptim që sot jemi këtu, bashkë e pranë kompanisë General Electric. E njëjta kompani që e kishte dizajnuar teknologjinë e termocentraleve zona në 1983 dhe 84, dhe tash do të bëjë modernizimin e Kosova B, për të siguruar që do të Kosova B do të vazhdojë e fortë edhe për dekadat në vijim.
Rëndësia e këtij modernizimi nuk mund të theksohen mjaftueshëm. Kapaciteti i njësive do të rritet nga 14 deri në 17 megavat. Pas rekonstruktimit që do të bëhen në Turbinën e Presionit të Lartë dhe atij të Ulët nuk do të kemi nevojë për riparime të shpeshta kapitale; ato do të jenë të nevojshme vetëm çdo 8 apo 9 vite.
Në thelb, këto investime rezultojnë në prodhim të shtuar të përafërt me ndërtimin e një centrali të ri të energjisë elektrike. Rritja e prodhimit do të përkthehet në pavarësi më të madhe energjetike, duke ulur kështu varësinë ndaj importeve.
Meqenëse se pavarësia energjetike është një nga synimet tona kryesore, modernizimi i infrastrukturës sonë përshtatet mirë me përpjekjet tona të përgjithshme në këtë sektor dhe është në përputhje me strategjinë tonë të parë energjetike të bazuar në studime dhe përparimtare.
Tashmë kemi filluar procesin e parkut të energjisë diellore 100 MW në KEK dhe ndërtimin e ngrohjes qendrore diellore për Prishtinën, nga e cila do të përfitojnë rreth 60 mijë qytetarë.
E kemi nënshkruar dhe kemi filluar punën për ndërtimin e kapaciteteve të akumulimit të energjisë, të cilat do të sigurojnë që ne të mund të përdorim sa më mirë kapacitetet tona ekzistuese dhe të reja prodhuese.
Kemi siguruar mbi 400 milionë euro grante për të rritur efikasitetin, për të forcuar sektorin tonë dhe për të rritur kapacitetet tona prodhuese. Dhe ajo që mund të jetë pjesa më ngazëlluese, është se këto kapacitete do të ndërtohen në skema konkurruese.
Në fund të këtij muaji do të lansojmë ankandin e parë të energjisë në Kosovë në tokë publike me kapacitet 100 MW. Dhe së shpejti do të pasojnë edhe shumë skema të tjera të tilla konkurruese.
Të gjitha këto së bashku do të sigurojnë efikasitet dhe qëndrueshmëri më të madhe jo vetëm për sektorin e energjisë, por edhe për ekonominë tonë dhe për sigurinë tonë kombëtare. Ngjarja e sotme luan një rol edhe në këtë. Nuk mund të jemi thjesht të kënaqur me infrastrukturën që kemi tashmë. Përkundrazi, mirëmbajtja e përgjegjshme e pronës publike dhe e aseteve tona energjetike – si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit të tyre – është një domosdoshmëri.
Deri më tani njësitë e Termocentralit Kosova B kanë realizuar rreth 215 mijë orë pune. Me modernizim garantojmë realizmin e ngjashëm në dy dekadat në vijim. Së bashku më përkrahjen e BE-së për zvogëlimin e emetimeve nga këto njësi, ne po garantojmë një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit të energjisë në Kosovë.
Ju faleminderit shumë! /FolDrejt/