Rusia paralajmëroi Perëndimin sot se, nëse pengesat për eksportin e saj të grurit dhe plehrave nuk hiqen, atëherë Ukraina do të duhet të eksportojë drithë në rrugë tokësore dhe Moska do të punojë jashtë kornizës së marrëveshjes së eksportit të grurit të arritur me ndërmjetësimin e OKB-së.
Marrëveshja e grurit të Detit të Zi ishte një përpjekje e OKB-së për të zbutur krizën ushqimore të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Marrëveshja është nënshkruar nga Rusia, Ukraina, Turqia dhe OKB-ja në korrik të vitit të kaluar dhe është zgjatur dy herë, duke mundësuar eksportin e ushqimit dhe plehrave nga portet ukrainase të Odessa, Chernomorska dhe Yuzhnyi, raporton Reuters.
Rusia thotë se këto eksporte janë të rrezikuara nga barriera të tilla si sigurimet dhe ndërprerjet e pagesave dhe se ato duhet të hiqen. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha sot se nëse Perëndimi nuk e bën këtë, atëherë Ukraina do të duhet të përdorë rrugët tokësore dhe lumore për eksport, transmeton Fol Drejt.