Franca po përgatitet për një tjetër grevë masive të martën kundër reformës së urryer të pensioneve të presidentit Emmanuel Macron, pasi sindikatat njoftuan unanimisht se do të “paralizojnë” vendin me greva dhe demonstrata të tjera të ndryshme.
“U bëj thirrje të gjithë punonjësve në vend, qytetarëve, pensionistëve që të martën t’i përgjigjen masivisht thirrjes për protestë. Presidenti i Republikës nuk mund të mbetet i shurdhër”, tha sekretari i përgjithshëm i sindikatës reformiste CFDT, Laurent Berger .
Kjo është hera e gjashtë që nga 19 janari që njerëzit do të protestojnë masivisht kundër reformës së propozuar të pensioneve, e cila synon zhvendosjen e moshës së pensionit nga 62 në 64 vjeç dhe zgjatjen e kohës së pagesës së kontributeve të nevojshme për të përfituar pension të plotë.
Shumica dërrmuese e francezëve janë “armiqësorë” ndaj asaj reforme, sepse e konsiderojnë atë të padrejtë, veçanërisht ndaj punëtorëve në punë të vështira.
Qeveria pretendon se ndryshimet janë të nevojshme për të nxjerrë sistemin francez të pensioneve nga deficiti deri në vitin 2030.
Mësuesit, shoferët e trenave, punëtorët e sektorit të energjisë, punëtorët e industrisë dhe shumë të tjerë pritet t’i bashkohen grevës të martën dhe trazirat, që mund të zgjasin me ditë, do të përhapen në të gjithë vendin.
Gjithashtu, ndryshe nga grevat e mëparshme, konfederatat kryesore të sindikatave franceze, duke përfshirë CFD dhe CGT, kanë shpallur “greva të zgjatura”, që do të thotë se pas përfundimit të çdo greve, punëtorët do të votojnë nëse do të vazhdojnë aksionet industriale.
Pa një datë të caktuar se kur mund të përfundojnë grevat, sindikatat besojnë se veprimi i tyre ka potencialin të prishë jetën e përditshme dhe të kërcënojë ekonominë aq shumë sa që qeveria nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse të heqë dorë.
Sindikatat besojnë se më shumë njerëz do të protestojnë të martën sesa më 31 janar, kur sipas policisë dolën në rrugë 1.27 milionë njerëz dhe sipas sindikatave 2.5 milionë njerëz.
Të martën, trafiku hekurudhor dhe trafiku në metronë e Parisit do të ndërpriten pasi punëtorët e hekurudhave franceze (SNCF) dhe metrosë së Parisit (RATP) do t’i bashkohen grevës.
Qeveria u ka bërë thirrje punonjësve të kalojnë në punën nga shtëpia.
Sipas qeverisë, reforma në sistemin e pensioneve do të sillte 17.7 miliardë euro shtesë kontribute pensioni në vit dhe sindikatat përgjigjen se ka mënyra të tjera për të rritur të ardhurat, si për shembull taksimi i super të pasurve.
Debati i furishëm në parlament për projektligjin përfundoi në fund të shkurtit pa diskutim për nenin e diskutueshëm 7 për rritjen e moshës së pensionit.
Propozimi tani është në shqyrtim në Senat.
Ndërkohë, Macron bën thirrje për “mendje të shëndoshë”.
“Askujt nuk i pëlqen të punojë më gjatë, por duke pasur parasysh se jetojmë më gjatë, duhet të punojmë më gjatë nëse duam të ruajmë sistemin e solidaritetit ndër breza”, ka thënë Macron, transmeton Fol Drejt.