Llogaritë bankare të Finlandës dhe Danimarkës në Rusi janë ngrirë, duke bërë që ambasadat e tyre të bëjnë pagesa në para të gatshme, kanë thënë zyrtarë nga të dy vendet, njofton Al Jazeera, transmeton Fol Drejt.
Ministri i Jashtëm finlandez Pekka Haavisto u tha gazetarëve se llogaritë bankare kishin pushuar së punuari më 27 prill.
“Llogaritë e ambasadave finlandeze janë ngrirë në Rusi dhe për momentin ato nuk mund të përdoren,” tha Haavisto, duke shtuar se ambasada dhe konsullata e saj në Rusi kishin përdorur rezerva të holla për të paguar faturat.
Ministria e Jashtme daneze tha se kufizimet e vendosura nga autoritetet ruse nënkuptonin se kartat bankare të ambasadës së saj ishin bllokuar.
“Rritja e kërkesave për dokumentacion përpara të gjitha pagesave do të thotë konkretisht se ambasada ka kohë që paguan pagat për punonjësit dhe paguan faturat me para në dorë”, tha ministria./FolDrejt/